Pas më shumë se një muaj rezistence, studentët e ngujuar kanë vendosur lirimin e ambienteve të Fakultetit të Drejtësisë.

Vendimi vjen në prag te sezonit të provimeve dhe pas kërkesës së bërë nga senati akademik i Universitetit të Tiranës.

Student: Vendosëm që shkolla të hapet me dëshirën e shumicës, por protesta nuk ka mbaruar. Do fillojë sërish por le të jetë një kohë reflektimi për të gjithë.

Studente: Një arsye është se nis sezoni dhe jemi shumë mbrapa, prandaj duhet të kthehemi sa më shpejt në auditore.

Edhe pse një pjesë e kërkesave mbeten ende pa zgjidhje studentët thonë se protesta ja doli të kthejë vëmendjen tek problemet e arsimit të lartë.

Student: Ndoshta nuk u plotësuan 8 pikat, por u la një mesazh tek të gjithë.
Ndërkohë pedagogët, përfaqësues të asambleve të fakulteteve, ngriten edhe njëherë problemet e ligjit të arsimit të lartë para komisionit të medias dhe edukimit.

Mark Marku: Unë mendoj se ka qenë gjë e mirë e ligjit prirja për të ndarë pjesën akademike me pjesën financiare, por ndarja ka krijuar pushtet paralel.

Rezart Prifti: Problemi i madh që ka ky sistem arsimor i lartë është masivizimi i madh. Fakultetet tona sot kanë kurrikul me libra të ’89-ës, Universitetet tona nuk janë të konkurrueshme.

Kërkesës së deputetëve për të raportuar në komision lidhur me praninë e forcave të policisë me 8 shkurt në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Ministri Sandër Lleshaj dhe ministrja Besa Shahini nuk iu përgjigjën pozitivisht. Kryetarja e komisionit Albana Vokshi e cilesoi refuzimin e kërkesës si shkelje të ligjit.

/Ora News.tv/