Stevo Pendarovski mori zyrtarisht detyrën e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në rezidencën presidenciale, Pendarovski u prit me ceremoni nga paraardhësi i tij, Gjorge Ivanov.

Para hyrjes në vilen e presidentit, Pendarovski u prezantua me kabinetin që e trashëgoi nga Ivanov.

Pendarovski u betua para deputetëve dhe përfaqësuesve më të lartë të institucioneve shtetërore e fetare se gjatë mandatit pesëvjeçar do të respektojë kushtetutën dhe ligjet në fuqi, dhe se do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë së Veriut.

Pendarovski shtoi se ndër prioritetet e tij mbetet edhe ruajtja dhe zhvillimi i raporteve ndër etnike në vend, duke shtuar se përcaktimi strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve mbetet anëtarësimi në NATO dhe BE.

"Raportet ndëretnike dhe baraspesha mes të gjitha etniteteve gjithmonë ka qenë fryt i stabilitetit dhe i sigurisë tone të brendshme. Problemi më i madh ka qenë dhe mbetet sjellja e partive më të mëdha politike të cilat shpeshherë pozicionin e tyre ndaj raporteve ndëretnike e kanë shprehur varësisht nëse janë në pushtet apo opozitë andaj edhe për çdo veprim apo sjellje do të kërkoj përgjegjësi politike”.- u shpreh Stevo Pendarovski, President i RMV-së, raporton Alsat.

/Ora News.tv/