Gjykata Supreme e Spanjës ka tërhequr urdhër-arrestin ndërkombëtar për ish-presidentin katalan Carles Puigdemont dhe katër ish-ministra të tjerë rajonalë. Ish-zyrtarët u arratisën drejt Belgjikës një muaj më parë, pas deklarimit unilateral të pavarësisë, në një referendum të shpallur ilegal nga Spanja. 

Por pavarësisht kësaj tërheqjeje, gjyqtari i Gjykatës Supreme Pablo Llareno deklaroi se politikanët në fjalë ende përballen me akuza për kryengritje dhe rebelim.

Rebelimi konsiderohet një nga krimet më serioze në Spanjë, teksa penalizimi shkon deri në 30 vite burgim. 

Sipas gjyqtarit Llareno, ky vendim vjen falë gatishmërisë së treguar nga ish-presidenti Puigdemont për t'u rikthyer në Spanjë, përpara zgjedhjeve rajonale të 21 dhjetorit. Për gjyqtarin, ky hap i lejon Spanjës të marrë kontrollin e plotë të hetimit ndaj ish-zyrtarëve katalanas.

Vendimi i gjykatës vjen në ditën e parë zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhje e parakohshme rajonale të kërkuara nga autoritetet spanjolle. 12 liderë katalanas të shkarkuar nga qeveria spanjolle do të kandidojnë në këto zgjedhje.



/Ora News.tv/