Spanjë, gjendet pas 14 ditësh trupi i 2 vjeçarit që ra në pusin e thellë

Ekipet e shpëtimit në Francë kanë gjetur trupin e djalit 2-vjeçar që ra në një pus në afërsi të qytetit jugor të Malagas.

Djali i quajtur Julen u zhduk në pusin e ngushtë, më shumë se 100 metra të thellë ndërsa po bënte një shëtitje me familjen më 13 janar.

Specialistët punuan ditë e natë në një tunel që u gërmua paralelisht me pusin e ngushtë për të arritur tek djali.

Trupi u gjet në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

“Në orën lokale 01:25 ekipet e shpëtimit arritën tek pusi dhe gjetën trupin e pajetë të Julen,”-tha Alfonso Rodriguez Gomez de Celis, përfaqësuesi i qeverisë qendrore në rajonin e Andaluzisë.

Incidenti i rëndë ndodhi ndërsa 2-vjeçari po bënte shëtitje me familjen e tij pasditen e 13 janarit në një plantacion kodrinor afër fshatit Totalan.

Pusi, me diametër vetëm 25 centimetra, ishte lënë i hapur dhe djali ra brenda.

Biznesmeni që kishte hapur pusin një muaj më parë tha se e kishte mbuluar atë.

Puse të tilla të ngushta janë gërmuar me shpresën e nxjerrjes së ujit ose naftës.

Disa ditë më parë ekipet e shpëtimit gjetën flokë në pusin e thellë dhe i krahasuan me mostrat e AND-së në shishen ku kishte pirë Julen, si edhe me mostrat e ADN-së së familjes së tij, duke konfirmuar identitetin e 2-vjeçarit.

Shpëtuesit nuk morën asnjë shenjë jete nga djali gjatë gjithë operacionit.

Prindërit e Julen, Hoze dhe Viktoria kanë përjetuar një tjetër tragjedi edhe më parë.

Banorët e El Palo thonë se djali i tyre 3-vjeçar, Oliver, vdiq papritur më pak se dy vjet më parë për shkak të një problemi në zemër.


EMISIONET