Gjykata e Krimeve të Rënda zbuloi mungesën e tri dëshmive të përkthyera në dosjen ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Kjo mungesë e procesverbaleve u bë shkak për shtyrjen e seancës, çka bëri që gjykata të mos shprehej as këtë herë.

Nëse do të pranojë apo jo kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela për gjykim të shkurtuar.

Të mërkurën gjykati hapi shqyrtimin gjyqësor të çështjes, ndërsa prokurorët lexuan kërkesën për gjykim për dy të pandehurit, Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, ndërsa pezulloi për një vit gjyqin për dy të pandehurit e tjerë Sokol Bode dhe Gjergji Koila.

Seanca u ndërpre kur kryesusi Ardit Mustafai konstatoi se në 74 fashikujt e hetimit të dorëzuar në gjykatë mungonin përkthimet në shqip të dëshmive të të pandehurve Moisi Habilaj, Nezar Seiti dhe Meridian Sula, të cilat ishin vetëm në gjuhën italiane.

Prokurorët kërkuan kohë për ta verifikuar dhe nëse nuk gjendeshin të siguronin në kohë përkthimin e tyre. Por ish-ministri kërkoi që seanca të mos shtyhej, duke deklaruar se hiqte dorë nga këto dëshmi që ishin në favor të tij dhe gjykimi të vazhdonte.

Saimir Tahiri: Ju jeni dëshmitarë që ky proces është shtyrë për të tretën herë. Hera e parë sepse letrat që kishte sjellë posta ishin të grisura, hera e dytë sepse policia nuk kishte bërë njoftimet dhe hera e tretë se prokuroria ka humbur ca letra.

Unë nuk e di, por edhe një çerdhe është më e organizuar se kaq. Nuk e di si mund të ndodhi që të humbasi letra në prokurori kur ka protokoll, kur ka një sistem, kur dihet kush i ka dërguar dhe kush i ka marrë. Unë nuk e di si mund të vazhdohet kështu dhe cfarë serioziteti është ky kur praktikisht prokuroria me këto letra kërkoi arrestimin tim në parlament. Kjo është qesharake. Unë nuk dua tja di nëse është e qëllimshme apo gabim njerëzor. Nëse është e qëllimshme është e keqja më e vogël në fakt. Sepse kush ka qëllim për ta zvarritur ka gjetur një rrugë kaq banale, sa humbja e  letrave?! Unë shpresoj të jetë mungesë vëmendje, madje nuk dua ti vë emër. Unë e thashë dhe në seancë ato janë prova në favorin tim, por unë heq dorë mjafton që gjyqi mos të shtyhet sepse u bë tërkuzë.

Ministria e Drejtësisë me firmën e ministres i ka sjellë përkthimet në prokurori. Se ku janë le ti gjejnë prokurorët. Unë di të them që e quaj të tepër të shtyhet gjyqi për herë të tretë. Është qesharake, skandaloze, poshtëruese për drejtësinë jo për mua.

Mua më intereson që gjyqi të mos zgjatet. Kjo është qesharake, ky shtet nuk mund të jetë kështu, drejtësia nuk mund të jetë kështu. Kur ndodh me mua, vaj halli çfarë ndodh  me njerëzit.

Është e shëmtuar, unë nuk di si mund të ndodhë kjo në Prokurorinë e Krimeve të rëndë në një proces mediatik. Bëhet fjalë për shkresa që i keni nxjerrë ju. Kur i ka media nuk i paska prokuroria, ose ka bërë gabim ju kanë dhënë origjinalet dhe tani nuk i gjejnë.

Seanca e rradhës u caktua 22 korrik në orën 11 ku prokuroret do te paraqesin perkthimet dhe gjykata do të shprehet nëse do të pranojë apo jo gjykim të shkurtuar për ish-ministrin.




Seanca është shtyrë 2 herë, ndërsa vetë ish-ministri kërkon që procesi ndaj tij mos zvarritet.

Dështimi i Seancës së dytë-Vendimi për shtyrjen e seancës u mor pasi prokura e një prej të pandehurve, Gjergj Kohilës nuk ishte e rregullt.

Dy të pandehurit Jaeld Çela dhe Sokol Bode paraqitën prokura përfaqësimi por që kishin përcaktuar se kishin dijeni për seancën. Ndërkohë kjo gjë nuk është bërë nga i pandehuri tjetër në mungesë Kohila, i cili kishte paraqitur një prokurë për tu përfaqësuar nga një avokat por nuk kishte përcaktuar në të se kishte dijeni për seancën. 

Kjo procedurë u bë shkak për prishjen e procesit gjyqësor. 

Dështimi i seancës së parë - Seanca e parë ndaj Tahirit më 19 qershor në Gjykatën e Krimeve të Rënda dështoi.

Ish ministri ishte i pranishëm në gjykatë i shoqëruar nga dy avokatët e tij. Ndërsa tre të pandehurit e tjerë në mungesë, ish zyrtarët e policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergji Kohila e Sokol Bode kishin autorizuar  mbrojtesit  e tyre ti përfaqësojnë.

Akuzat ndaj Tahirit - Ish-ministri përballet në gjykatë me 3 akuza: “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar  kriminal”.

Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, Tahiri ka qenë garant i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës. Në të njëjtin proces janë të pandehur edhe tre ish zyrtarët e lartë të Policisë së Vlores, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila, ende të pa arrestuar.



/Ora News.tv/