Rinumërohen 11 kutitë e Lezhës, parregullsi në 2, "kaubojsi" siguron 4 vota plus

Rinumërohen 11 kutitë e Lezhës, parregullsi në 2,

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve hapi 11 kuti për Bashkinë e Lezhës, ndërsa në fund të rinumërimit rerzultoi një gabim me 4 vota. Ky akt u pasua  me  debate mes KQZ-s, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Bledar Skënderi tha se organi më i lartë i administrimit zgjedhjeve, do të refuzojë kërkesën e opozitës për materialet zgjedhore, ndërsa Ivi Kaso në emër të PD-së tha se ky organ në shkelje të ligjit refuzon transparencë. Për çështjen reagoi Misnistrja, Elisa Spiropali, e cila tha se 11 kutitë e rinumëruara  rrëzojnë çdo alibi të Bashës.

Komisioni  Qëndror i Zgjedhjeve hapi 11 kuti të bashkisë së Lezhës, ku ashtu siç pritej nuk kanë ndikuar  në rezultat. Në fund të rinumërimit, rezultuan vetëm 4 vota ndryshe nga tabelat e rezultatit.

Edhe pse KQZ  vendosi parimin e hapjes së  kutive, problem mbeten materialet zgjedhore, të cilat janë kërkuar  zyrtarisht nga Partia Demokratike. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të refuzojnë t’ia ofrojnë materialet opozitës,  ndërsa anëtari Bledar Skënderi, tha se  Partia Demokratike ato mund ti marrë vetëm në arkiv.



Por hapjen e kutive, Partia Demokratike e cilësoi qesharake. Sekretari për Çështjet Zgjedhore Ivi Kaso, tha se KQZ refuzon transparencën, ndërsa tha se duhet të hapen kutitë e materialeve, përfshirë listat e  zgjedhësve.

Kaso: 4 kamikazët e Ramës në KQZ e refuzuan transaprencën, e refuzuan kërkesën e Kryetarit të KQZ-së për të verifikuar listat. Atyre u duhet shoë dhe jo transparencë. U duhet bindje ndaj urdhrit politik dhe jo ndaj ligjit.KQZ ka detyrim të bëjë transparencë. Ka detyrimin ligjor t’i vendosë opozitës në dispozicion materialet zgjedhore, të cilat i kemi kërkuar zyrtarisht dhe që na takojne sipas ligjit.Publikimi i tyre do të hedhë dritë mbi çdo aspekt të farsës zgjedhore të 30 Qershorit, që deri tani është mbajtur sekret. Asnjë truk prej hajduti nuk ia zgjidh dot Edi Ramës hallin e madh për t’i treguar botës se nuk është ashtu siç duket, pasi është kapur në flagrancë duke mbushur kutitë e votimit.

Por ndryshe, mendon Partia Socialiste. Hapjen e 11 kutive dhe gabimin me vetëm 4 vota, Elisa Spiropali, e cilësoi si akt që rrëzon alibinë e opozitës për manipulim të 30 qershorit.

Spiropali: 11 kuti u rihapën për shkak të ankesave të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje. Rezultatet tregojnë qartësisht se nuk ka pasur asnjë parregullsi. Në 10 prej kutive, janë ekzaktësisht të njëjtat vota, që janë regjistruar edhe në tabelën përfundimtare të KQZ. Në vetëm njërën prej kutive, figuruan tre vota të ngatërruara, por asnjë prej atyre votave nuk ka shkuar në favor të kandidatit të Partisë Socialiste. Janë tre vota, të shkëmbyera midis kandidatëve Ndocaj dhe Kaçaj, pa asnjë ndikim në rezultatin përfundimtar.

Faktet janë kokëforta. Rezultatet rakordojnë në mënyrë perfekte midis tabelave të publikuara nga KZAZ dhe rezultatit të rinumërimit. Asnjëherë më parë në Shqipëri, aq më pak në kohën kur kryebashkiakët si Basha zgjidheshin jo me votë, por me vendim gjykate, standardi dhe transparenca e zgjedhjeve nuk ka qenë kaq e lartë. Shqiptarët e kanë kuptuar shumë mirë hallin e Bashës, Berishës, Metës e Kryemadhit, por askush nuk mund t’i ndihmojë në këtë hall. Zgjedhjet e 30 Qershorit ishin një ndarje e qartë nga e shkuara.

Pavarësisht bojkotit, kërcënimeve për dhunë, pavarësisht gjullurdisë “haxhiqamiliste”, që opozita e bashkuar tentoi të krijonte në 2019-n, shqiptarët në masë refuzuan mesazhin e dhunës, duke zgjedhur të ardhmen, Shqipërinë Europiane.

Duket se Partia Demokratike do ta ketë të vështirë të administrojë prova kundër 30 qershorit, ndërsa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është shprehur i gatshëm ti ofrojë vetëm pamjet e kamerave të numërimit.


EMISIONET