Mes dhimbjes së pashoqë dhe lotëve u përcollën mesditën e sotme, për në banesën e fundit 8 viktimat e masakrës së shkaktuar nga Ridvan Zykaj. Pasditen e 10 gushtit i armatosur me automatik 24 vjeçari shkoi në dy banesa dhe qëlloi me automatik duke vrarë pjesëtarët e dy familjeve të fisit Zykaj, jo shumë larg banesës së tij në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë. 

Tetë varre të hapura në një vijë, gati për tetë arkivole: ai i Demirit, Peries, Besimit, Vasilikës, Azemit, Afërditës, Sarës 16 vjeçare dhe Ledionit vetëm 8 vjeç. 

Fjalët janë të vështira në momente të tilla. 

"Askund nuk është parë dhe dëgjuar një krim i tillë. Kjo është një gjëmë" thotë një familjar ndërsa ka një apel shoqërisë por dhe shtetit

"T'i qëndrojmë pranë të rinjve për të mos bërë veprime të tilla. Shteti ti gjejë vendin kriminelit."

"Kjo dhimbje është e madhe dhe shumëfishtë qoftë dhe për pamundësinë tonë për ta parandaluar. Çdo njeri duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për të mos cënuar lirinë e tjetrit, se në këtë mënyrë ka kërcënuar jetën e vet" thotë një përfaqësues i bashkisë Selenicë e cila ka marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve mortore, me vlerë 1.2 milionë lekë të reja.

Zi ne tre shtepi

Zia u hap në tre shtëpi: në shtëpinë ku jetonte Demir Zykaj 75 vjeç dhe Perie Zykaj 72 vjeç, vëllai i gjyshit të autorit, në shtëpinë Besim Zykajt dhe në shtëpinë e Azem Zykajt. Të dy këta ishin djemtë e Demirit.

Pasditen e djeshme Ridvan Zykaj ka shkuar fillimisht në banesën e Demirit dhe pasi e ka ekzekutuar me bashkëshorten e tij ka shkuar në banesën e Besimit. Aty ka vrarë Besimin dhe bashkëshorten e tij, Vasilika dhe dy fëmijët, Sarën, 16 vjeçe dhe Ledionin 8 vjeç.  Kur kanë dëgjuar britma e të shtëna Azemi dhe Afërdita kanë shkuar në banesën e Besimit për të parë se çfarë kishte ndodhur. Aty janë ekzekutuar dhe ata.  Tre viktima janë gjetur të vrarë në oborr, ndërsa të tjerët janë gjetur brenda në banesa.

Plumbat 

Viktimat kanë pasur plagë të shumta nga plumbat e kallashnikovit kryesisht  në bust dhe në kokë.

Afërdita Zykaj është goditur nga 6 plumba. Azemi Zyka është goditur me 4 plumba dhe të katërt i ka në kokë. Djali i vogël Ledioni është goditur nga tre plumba ndërsa vajza, Sara 16 vjeçe është goditur 4 plumba.

Policia ka arrestuar sot në mëngjes 24 vjeçarin, autor të masakrës. 

Ai ka treguar në polici se shkak ishin akuzat që pjesëtarë të familjes Zykaj i kishin bërë si autor të vjedhjeve. 

Lidhje live me gazetaren Jerola Ziaj

Emrat e viktimave:

Demir Zykaj 75 vjeç
Perie Zykaj 72 vjeç 
Azem Zykaj 45 vjeç,
Afërdita Zykaj 42 vjeç, 
Besim Zykaj 43 vjeç,
Vasilika Zykaj 42 vjeç 
Sara Zykaj 16 vjeçe
Ledion Zykaj 8 vjeç




/Ora News.tv/