Ish-nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu në një lidhje me Skype në "360 Gradë" në Ora News thotë se pas kanabisit, do të jetë trafiku i kokainës më kryesori në Shqipëri për shkak të çmimit më të lartë dhe mundësive më të mëdha të transportit.

Ai thotë se në 25 vite nuk ka pasur asnjë atentat ndaj politikanëve nga trafikantët e drogës, duke theksuar se ka pasur paqe mes shtetit dhe krimit.

Spahiu: Transporti i lëndëve narkotike dhe kryesisht i kokainës shumë shpejt do të zëvendësojë prodhimin e kanabisit. Së pari sepse është më i lehtë dhe më fitimprurës se sa kanabisi. Kanabisi ka një volum shumë më të madh se sa kokaina.

Në tregun ndërkombëtar, kokaina ka shënuar çmimin më të ulët në historinë e saj për faktin sepse tregu evropian është mbingopur me ofertën e prodhimit që vjen nga Amerika Latine. Çmimi është 23 mijë euro për kg ndërsa më parë ka qenë 80 mijë euro.

Përveç disa linjave shihen edhe disa ura të tjera të transportit dhe vendi më i përshtatshëm është Shqipëria.

Do të thoja që Shqipëria është shumë larg e të qenit Kolumbi. Shteti kolumbian është më serioz në luftën kundër krimit dhe trafikut. Në Kolumbi janë vrarë me dhjetëra deputetë dhe zyrtarë.

Më gjeni në 25 vite që një politikan shqiptar t'i bëhet atentat nga trafikantët dhe krimi i organizuar. Fakti që ekziston një paqe mes shtetit dhe krimit të organizuar, do të thotë është partner.


/Ora News.tv/