Lakuriqët e natës frymëzojnë radarët që do të përdoren për të vëzhguar nëntokën e Marsit dhe të planeteve të tjera të Sistemit Diellor për të marrë informacione me të sakta mbi përbërjen e strukturës së planeteve dhe të hënave të tyre, sipas përshkrimeve në revistën shkencore “Nature Communications” të kësaj teknologjie të zhvilluar në Universitetin e Trentos nga Lorenzo Bruzzone dhe Leonardo Carrer.

Në gjendje të fluturojnë natën dhe në errësirën më absolute të shpellave ku strehoen, lakuriqët e natës përllogarisin mjedisin, identifikojnë dhe vlerësojnë distancën e objekteve, falë një sonde biologjike që i mundëson atyre të lëshojnë ultratinguj, më saktë valë akustike me frekuencë të lartë që nuk mund të dëgjohen nga veshi i njeriut, duke arritur të dëgjojnë jehonën që përplaset dhe kthehet pas nga objektet e ndryshme.

Sinjali që kthehet përmban informacione mbi distancën dhe madhësinë e objekteve të prekur. Këto informacione janë shumë të sakta sepse, ndryshe nga disa radarë, që kanë një rreze veprimi të limituar, sonda e lakuriqëve të natës vepron në dy fasha të ndryshme, falë edhe pozicionit të veshëve që u mundësojnë të kapin jehonën e kthimit në dy kohë dhe intensitete të ndryshme, duke i’u dhënë më shumë informacione.

Duke u frymëzuar nga ky mekanizëm, studiuesit kanë përmirësuar efektshmërinë e teknikave për të përpunuar informacionet e kapura nga radarët.

“Kemi aplikuar idenë e fashës së dyfishtë të frekuencave për të përmirësuar informacionin mbi studimet gjeofizike të kryera me radarë në gjendje të hyjnë nën sipërfaqen e trupave qiellorë të sistemit diellor”, shpjegon Bruzzone.

Në veçanti, shton ai, “kjo matje e dyfishtë është e nevojshme për të dalluar në mënyrë më të detajuar sinjalet që vijnë nga sipërfaqja dhe ata që vijnë nga nëntoka e planeteve dhe të hënave të tyre”.

Kjo shërben për të përmirësuar të kuptuarit e strukturës gjeologjike të trupave qiellorë.

Teknika është eksperimentuar  në përpunimin e të dhënave të dërguara nga sondat që po eksplorojnë Marsin dhe hapi i radhës do të jetë që të përpunohen sisteme më të sofistikuar për radarët e gjeneratës së re, në gjendje të krijojnë të dhëna më të sakta. /ATA/

/Ora News.tv/