Qëndrimi i tepërt në kompjuter dhe celular shkakton skoliozë tek fëmijët

Qëndrimi i tepërt në kompjuter dhe celular shkakton skoliozë

Skolioza është një sëmundje që prek kryesisht moshat e reja. Qëndrimi me orë të tëra para kompjuterit apo aparateve celularë është një ndër shkaktarët kryesore. Mjeku ortoped Harun lliazi tha se shenjat e para shfaqen në një moshë të hershme.

Ndryshimi i mënyrës së jetesës, kequshqyerja, qëndrimi ulur për orë të tëra përpara kompjuterit apo celularëve janë ndër shkaktarët kryesorë të deformimit të shtyllës kurrizore ose skoliozës.

Mjeku ortoped, Harun lliazi shpjegon se kjo semundje prek kryesisht fëmijet dhe bën thirrje për një trajtim të hershëm të saj.

Harun Iljazi: “Skolioza është një deformim i kolonës vertebrale, e thënë shqip zhvendosje e kolonës vertebrale dhe e rrotulluar në aksin e saj duke krijuar një deformim të dukshëm të pacientit. Zakonisht shfaqet në moshën 11-12 vjeç. Duhet ta zbulojmë sa më shpejt këtë deformim të kolonës vertebrale për faktin se është më e lehtë nga ana mjeksore dhe për ta trajtuar.”

Mjeku shpjegon se cilët janë shkaktarët e kryesor të kësaj sëmundje dhe rekomandon përdorimin e çantave-valixhe.

Harun Iljazi: “Vetëm duke mbajtur një celular një fëmijë sjellë shumë probleme që nga qafa deri të kurrizi. Çantat ka filluar bota t’i bëjë të personalizuara në mënyrë që të shpërndahet e gjithë pesha në trupin e fëmijës. Unë do të rekomandoja tip valixhe.”

Ai shpjegon mënyrat e trajtimit të cilat nisin nga ushtrimet e thjeshta duke shkuar deri tek ndërhyrja kirurgjikale.

Harun Iljazi: “Mënyra e trajtimit është në varësi të këndit të skoliozës që varion nga 0 deri në 20 gradë që bëhet me kinezterapi vetëm me ushtrime dhe me aplikimin e ushtrimeve të tjera, kryesisht dhe notin. Kurse faza tjetër nga 20 deri në 40-45 gradë bëhet me korse. Pas këndit 45 gradë bëhet me kirurgji.”

Mjekët u bëjnë thirrje prindërve dhe mësuesve të fizkulturës që të ndihmojnë në identifikimin në kohë të këtij te mëtejshëm deformimi dhe t'i drejtohen specialistëve për të parandaluar avancimin e tij. 

/Oranews.tv/

EMISIONET