Skënder Gega: Mjaft me sekserët, duan të përfitojnë nga Partizani! E vërteta me Sowe dhe Nikolic …

Skënder Gega: Mjaft me sekserët, duan të përfitojnë nga

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka thyer heshtjen duke komentuar zërat e fundit të merkatos. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gega fillimisht ka folur për zërat që shohin ish-sulmuesin e Skënderbeut, Ali Sowe, te Partizani për sezonin e ardhshëm. Emri i golashënuesit më të mirë të kampionatit të shkuar qarkullon prej dy ditësh në kampin e kuq si një alternative që i është propozuar drejtorit Olsi Rama.

“Dua të sqaroj se si trajner i Partizanit sugjerimet për lojtarë të ndryshëm i marr vetëm nga klubi dhe jo nga media dhe agjentët e tyre, të cilët për interesa të tyre lakojnë emra futbollistësh. Sa i përket rastit të ish-sulmuesit të Skënderbeut, Ali Soue, dua të sqaroj se mua si trajner as nuk më është propozuar dhe as që e kam refuzuar. Propozimet i marr vetëm nga klubi, gjë e cila nuk më ka ndodhur në rastin në fjalë. Ndaj, gjithë zhurma për këtë rast bëhet nga ata që kanë interesa direkte me lojtarin. Praktika e afrimit të lojtarëve nën drejtimin tim funksionon kështu: klubi ma propozon dhe jam unë në fund ai që vendos. Për Souenë nuk ka ndodhur kjo praktikë”-ka thënë fillimisht Gega.

Malazezi  Një nga lojtarët që qëndroi për një muaj te skuadra e kuqe ishte edhe sulmuesi malazez, Stefan Nikolic, pas paraqitjeve të dobëta me të kuqtë në ndeshjet e Europa Ligës. 

“Edhe sa i përket largimit të Nikoliçit, kam qenë unë ai që kam vendosur që të zgjidhim marrëveshjen. Lojtari m’u ofrua nga klubi, me shpresën se do të tregonte diçka, por duke mos pasur shumë kohë në dispozicion, nuk u testua si duhet. Pasi u pa në stërvitje për disa ditë me radhë, plus hapësirën që pati në Ligën e Europës, unë i propozova klubit që të zgjidhte marrëveshjen me Nikolicin, pasi nuk ishte për Partizanin, ndonëse shpresuam dhe duruam shumë gjatë periudhës që ishte me ne. Një gjë duhet ta dinë të gjithë, se sa të jem trajner i skuadrës, në ekip do të ketë vend vetëm për ata që e justifikojnë fanellën legjendare të Partizanit. Jam në funksion të Partizanit, jo të atyre që për interesa personale duan të përfitojnë nga Partizani”,-ka vazhduar trajneri i të kuqve.

Eghan – Një tjetër emër lojtari më të cilin të kuqtë kanë qenë në bisedime ditët e fundit është edhe ai Shadrah Eghan, i cili ka luajtur me Tuenten. Trajneri i të kuqve ka pranuar se ganezi i është propozuar për ta pasur në ekip.

Është e vërtetë që ky lojtar më është propozuar nga klubi, por po e shohim me kujdes se si është situata e tij aktuale. Për momentin nuk kemi marrë asnjë vendim. Të gjitha të tjerat që fliten janë jozyrtare. Njerëz të ndryshëm flasin për interesat e tyre, por gjërat do të ndryshojnë edhe në këtë drejtim. Fusha është testi më i mirë, pasi aty shihen gjërat qartë. Dhe nëse dikush nuk jep atë që në presim, do të jem unë që personalisht do të marr vendimin pa marrë parasysh kostot. Nuk mund të presim pafundësisht, pasi çdo gjë ka një kohë të caktuar”,-ka thënë trajneri.

Akuzat – Në mbyllje të deklaratës së tij, tekniku i të kuqve ka hedhur edhe akuza në lidhje me menaxherë të ndryshëm që duan të përfitojnë.

“Në Shqipëri ka më shumë menaxherë dhe sekserë që duan të përfitojnë dhe për qëllimet e tyre shfrytëzojnë çdo burim të rremë për ta nxjerrë të vërtetë. E vërteta është se me shumicën ne flasim të njëjtën gjuhë, shqipen, por në asnjë mënyrë nuk jemi të njëjtë për sa i përket punës”,-ka mbyllur tekniku. 

EMISIONET