Skandinavët “prenotojnë” Durrësin

Skandinavët “prenotojnë” Durrësin

Durrësi është destinacioni i turistëve nga vendet skandinave dhe Europa lindore këtë sezon turistik.

Pushuesit nga Norvegjia, Finlanda, Danimarka e Suedia janë të shumtë këto ditë buzë Adriatikut, ndërsa të tjerë pritet të vijnë.

Hotelet cilësore me katër apo pesë yje përgjatë vijës bregdetare thuajse janë të prenotuar për të gjithë muajt e sezonit.

Elidon Delilaj, është menaxher i një hoteli me 140 dhoma, të cilat i ka të rezervuara deri në fund të muajit gusht.

Infrastruktura dhe shërbimet që u ofrohen përkundrejt çmimeve që ende klasifikohen të lira, duket se i lënë të kënaqur turistët e huaj, krahas natyrës dhe mikpritjes së shqiptarëve.

"Kemi ardhur nga Finlanda, është hera e parë këtu në Shqipëri, ku do të qëndrojmë për dy javë. Njerëzit janë të këndshshëm dhe është shërbimi është i mirë. Ne po kënaqemi".

Por nuk mungojnë as turistët që kanë ardhur pa ndërmjetësimin e agjensive, çka u lejon të qëndrojnë më gjatë në zbulim të Durrësit.

E tillë është edhe kjo turiste me rrënjë në Tetovë, por rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Është hera e para në Shqipëri. Jam këtu me të fejuarin dhe është tamam ashtu siç e prisja. Jam nga Tetova por jetoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Duket se shkrimet pozitive në mediat ndërkombëtare, por më së shumti ndryshimet pozitive të vlerësuara nga vetë turistët, mund ta kthejnë Shqipërinë në një destinacion për pushime.


EMISIONET