Banesat që janë pranë lumit të Lanës janë të palegalizuara. Banorët japin alarmin nga rreziku i shembjes së banesave, duke akuzuar se projekti u mbahet i fshehtë. Madje ata denoncojnë se Bashkia u ka marrë të dhëna personale në mënyrë të qëllimshme. Ndërsa tani rrezikojnë të mbesin në qiell të hapur dhe pa dëmshpërblim e çati mbi kokë.

"Ku të shkojmë ne? Kemi 22 vjet këtu..." Për familjen Cullhai, pjesëtarë të së cilës janë 14 persona, projekti i devijimit të shtratit të lumit Lana, shemb çdo shpresë që kanë ngritur deri më tani. Banesa e tyre përfshihet në sipërfaqen ku do të kalojë rrjedha e re e lumit.

"Unë jetoj 14 veta këtu, tre kurorë. Vetë dhe 3 çunat. Ku të shkoj unë? Ai thotë shkoni në banesa sociale. Si të shkoj unë pensionist? Ja tre vjet, po pastaj ku do të shkoj?"

"Jemi aq shtrenjtë sa Zoti e di. Kemi dhe fëmijët që punojnë andej vend e pa vend, e mbajnë mendjen këtu se kanë derdhur djersën kaq vite".

Ndërtesat në këtë zonë janë të palegalizuara. Ndaj në rast se përfshihen në projekt, nuk do të përfitojnë dëmshpërblim.

Për Ora News ata shprehen se në korrik, prej punonjësve të Bashkisë u janë marrë të dhënat personale. Por u është argumentuar se kjo është për testim të situatës ekonomike.

"Kanë ardhur vëzhdim 7-8 veta, morën të dhëna sa vetë jeni, çfarë shkolle. Kishin një formular. Por nuk kanë thënë gjë për projektin, vetëm morën ca mendime".

Projekti vazhdon të mbetet sekret, ndërsa Ora News e ka mësuar atë prej burimeve të tjera.

Pritet që ndryshimi të prekë 194 familje të reja. Fshehtësia e këtij projekti ka alarmuar banorët, të cilët thonë se nuk do e lejojnë zbatimin e tij.

"Nuk jemi njoftuar dhe nuk na ka thënë njeri. Nuk e pranojmë kurrë derisa të vdesim.Ata me bë 50 vila, Erion Veliaj me shokë, dhe ne me na shkul shtëpiat, mos ta marrë rrugën me ardh këtu.Do të vrasë veten dhe ne me të".

Për banorët e Unazës që kanë shtëpitë pranë lumit Lana, projekti për rehabilimin e tij nuk është bërë ende i qartë.

Ndërkohë që Bashkia e Tiranës vazhdon të qëndrojë në heshtje, duke mos dhënë asnjë informacion për këtë projekt.

/Ora News.tv/