Skandal abuzimi me mbetjet spitalore dhe këmbanë alarmi për rrezikun që u kanoset qytetarëve. Materiale të shumta spitalore, deri tek më të rrezikshmet janë hedhur mbrëmjen e së hënës në kontenierët e mbetjeve urbane në qytetin e Sarandës.

Skandal me mbetjet spitalore në Sarandë.Këto pamje të regjistruara mbrëmjen e së hënës në qytetin jugor zbulojnë abuzimet me trajtimin e mbetjeve spitalore të cilat kthehen kështu në një “bombë” që rrezikon shëndetin e qytetarëve.

Kamera e Ora News në qytetin bregdetar ka fiksuar këto pamje në kontenierët e mbetjeve urbane në rrugën pranë spitalit rajonal “Petro Nako”.

Brenda e jashtë kontenierit janë hedhur shiringa, doreza apo dhe materiale të tjera të rrezikshme që përdoren nga personeli mjekësor.

Një këmbanë alarmi që kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur rrezikun për qytetarët.

Trajtimi i mbetjeve spitalore është i rregulluar me ligj dhe rregulla të forta që përcaktojnë se ato tërhiqen nga institucionet shëndetësore nga kompani të licensuara dhe që kanë teknologji të posaçme për trajtimin e tyre dhe djegien në incineratorë.

 

/Ora News.tv/