Silvio Berlusconi do të jetë personi që do të sigurojë harmoninë në koalicionin e qendrës së djathtë në Itali. Në daljen e tij të parë në media pas zgjedhjeve të përgjithshme, 81-vjeçari shprehu besimin se aleanca e tij do të marrë mandatin për të qeverisur vendin, ndërkohë që kandidati i qendrës së djathtë për kryeministër do të jetë Matteo Salvini, udhëheqësi i “Ligës”.

Në komunikimin e tij të parë për mediat pas zgjedhjeve të 4 marsit, Silvio Berlusconi ka deklaruar se koalicioni i qendrës së djathtë duhet të marrë mandatin për të qeverisur, pas fitores së shënuar në zgjedhjet e përgjithshme.

Duke e konsideruar veten “koordinator”, 81-vjeçari konfirmoi se ai do të jetë garantuesi i harmonisë brenda koalicionit.

Në komunikimin e tij, Berlusconi u ndal edhe në rezultatin e arritur nga partia e tij Forza Italia, që humbi pozitat udhëheqëse në qendrën e djathtë.

“Do të kishte qenë ndryshe nëse nuk do të më kishin ndaluar kandidimin,” u shpreh 81-vjeçari, ndërkohë që garantoi mbështetjen për Matteo Salvini-n si kryeministrin e ardhshëm të Italisë.

Lideri i “Ligës” deklaroi se ai është kandidati i vetëm për kryeministër. I pyetur nga gazetarët nëse ai do t’i hapte rrugën një kandidati i cili mund të marrë më shumë mbështetje në parlament, Salvini u përgjigj menjëherë “jo”.

Por lideri i “Ligës” nuk është i vetmi që synon Kryeministrinë. Edhe udhëheqësi i “Lëvizjes 5 Yjet” Luigi Di Maio, ka të njëjtin pretendim, pasi partia e drejtuar prej tij arriti të merrte 32% të votave në votimet e 4 marsit.

Për Di Maio-n, pjesëmarrja e forcës së tij në qeverinë e re të Italisë është e pashmangshme. Ndaj 31-vjeçari është zotuar se do të marrë të gjithë masat e nevojshme institucionale për të garantuar këtë gjë.

Suksesi zgjedhor i arritur nga “Lëvizja 5 Yjet”, për Di Maio-n i atribuohet faktit se partia e tij nuk është territoriale dhe nuk kategorizohet si e djathtë apo e majtë.

Ndërkaq, sa i përket koalicioneve pas-zgjedhore, lideri 31-vjeçar ka shprehur gatishmërinë e tij për dialog me çdo forcë politike që kërkon të qeverisë.

/Ora News.tv/