Kontrolli i Lartë i Shtetit ka tërhequr vëmendjen e institucioneve në lidhje me sigurinë në plazhe. Në një reagim të këtij institucioni theksohet se rekomandimet e bëra kundrejt Ministrisë dhe njësive vendore nuk janë marrë parasysh duke sjellë disa viktima që në fillim të këtij sezoni. Në raportin e KLSH-së  theksohet se është e rëndësishme të ndryshojë ligji dhe rojet e plazhit të jenë në varësi të bashkive.Ndërkohë prefekti i Vlorës ka paralajmëruar bizneset se penalizimet për sigurinë do shkojnë deri në pezullim të aktivitetit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar Ministrisë së Turizmit dhe bashkive që të reagojnë dhe të ndryshojnë ligjin për sigurinë në plazhe.

KLSH i ka kërkuar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe bashkive  që të ndërhyjnë në aktet ligjore dhe të bëhet përgjegjës bashkia për kontraktimin e vrojtuesit të plazhit  dhe jo stacioni i plazhit që e neglizhon dhe kostoja e vrojtuesit të plazhit të përfshihet në tarifën për dhënien me qira të stacioneve të plazhit.

Po ashtu KLSH ka rekomanduar që të përcaktohet institucioni përgjegjës për licencimin dhe trajnimin e vrojtuesit, ndërsa thekson se përgjatë bregdetit shqiptar do të duhen rreth 5000 vrojtues plazhi.

Në raportin e KLSH-së theksohet se rekomandimet janë bërë që vitin e kaluar, por asnjë prej tyre nuk është marë parasysh duke krijuar pasiguri përgjatë bregdetit shqiptar.

Ndërkohë që prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj, paralajmëroi  sanksione për këdo që nuk merr masa të zbatoj rregullat dhe kriteret e sigurisë në plazhet e qytetit të Vlorës, saksione këto që fillojnë nga gjobat deri në mbylljen e plazhit.

Edhe pse është vetëm në fillim ky sezon turistik, në bregdetin shqiptar janë shënuar disa viktima.




/Ora News.tv/