Fushata elektorale në Itali po merr tone gjithnjë e më të forta politike pas ngjarjes së përgjakshme në të dy ditëve më parë ku 28 vjeçari italian Luca Traini për motive raciste, hapi zjarr kundër emigrantëve me ngjyrë në qytetin e Maceratës, duke plagosur 6 prej tyre.

Çështja e sigurisë kombëtare dhe emigracionit klandestin janë kthyer në temat qëndrore të kësaj fushata vetëm 4 javë para zgjedhjeve të 4 marsit.

Lideri i Forca Italias, ish-kryeminstri Berluskoni ka deklaruar se "çështja e emigracionit është një bombë sociale gati për të shpërthyer".

Ai ka akuzuar të majtën që gjatë 4 viteve në pushtet ka lejuar të hyjnë në Itali rreth 630 mijë emigrantë.

"Vetëm 30 mijë prej tyre, shprehet Berluskoni kanë të drejtë të kërkojnë statusin e refugjatit në Itali e 600 mijë të tjerët janë një bombë sociale gati të shpërthejë , gati të kryejë krime."

Ndërsa Matto Salvini, lideri i Lidhjes së Veriut shprehet se "italianët nuk janë racistë, pasi italianët me valixhe në dorë janë shpërndarë në të gjithë botën si në SHBA, Gjermani e Belgjikë. Por emigrantët italianë ndryshonin shumë nga emigrantët që mbërrijnë sot në Itali.  Problemi nuk është emigracioni i rregullt pasi në Itali jetojnë 5 milionë emigrantë të rregullt që janë të mirëpritur. Problem janë 700-800 mijë emigrantë klandestinë që jetojnë në Itali e që duhen kthyer në shtëpitë e tyre", deklaroi ai.

Kreu i Dhomës së Senatit italian, Pietro Grasso, njëherësh lideri i forcës së re politike "Liberi e Uguali" ka komentuar ngjarjen e Maceratës "si një akt terrorist me qëllime raciste.

"Nuk është gjesti i një të çmenduri" tha ai. Duhet të ndalim valën raciste e fashiste që po përhapet në vend duke dënuar të gjithë ata që spekulojnë me frikën."

Ish-kryeministri Matteo Renzi e lideri i Partisë Demokratike ka ftuar të gjitha forcat politike drejt klimës së përgjegjësissë e qetësisë.

"Personi që shtiu me armë në Macerata, tha ai, ka qënë një kandidat i Lidhjes së Veriut dhe para se të arrestohet ka qëlluar me armë dhe kundër selisë së PD në Macerata. E kemi të lehtë të ngremë polemika ndaj atyre që çdo ditë ushqejnë urrejtje ndaj nesh. Por do ishte një gabim. Sot është koha e qetësisë dhe e përgjegjësisë. Nuk duhet të instrumentalizojmë. Të lëmë jashtë fushatën elektorale nga kjo ngjarje e të ulim tonet."

Akuza të forta ndaj së djathtës kanë ardhur dhe nga kreu i Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini. "Mattëo Salvini, tha ajo, është mjeshtër i urrejtjes. Ai ka shkaktuar frikë e kaos në vend e duhet t'i kërkojë falje italianëve për gjithçka ka krijuar. Italia sot ka nevojë për zgjidhje, ndërsa ai është një problem."

Ndërkohë autoritetet italiane të drejtësisë zyrtarizojnë sot arrestimin e autorit të ngjarjes së Maceratës.

Luca Traini, 28 vjeç, akuzohet për masakër të rëndë me qëllime raciste. Për këtë akuzë drejtësia italiane parashikon deri në 15 vite burg.

Luca Traini nuk është penduar nga ajo çfarë ka bërë. Ka pranuar gjithcka duke motivuar se "ishte një hakmarrje për Pamelën, 18 vjeçaren italiane e mbetur viktimë nga një emigrant i parregullt nigerian". Trupi i saj u gjet i bërë në copa në dy valixhe të braktisura në rrugë. Ndërkohë avokati i tij ka kërkuar që Luca Trainit t'i bëhet ekspertiza mjekësore si "një person i papaftë për të menduar e vepruar".


/Ora News.tv/