Bashkia e Tiranës ka hapur Njësinë Administrative Nr.14, e cila do të mbulojë me shërbime rreth 70 mijë banorë të Astirit, Yzberishtit dhe Unazës së Madhe. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pa nga afër mjediset dhe kushtet që ofrojnë zyrat e reja të kësaj njësie, ndërsa theksoi se qytetarët do të marrin një shërbim shumë më të shpejtë dhe cilësor.

Veliaj dha një lajm të mirë jo vetëm për banorët e kësaj lagje, por për gjithë Tiranën, se duke nisur nga java e ardhshme, njësitë administrative do të shtojnë mjediset për aplikimet për karta identiteti, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata dhe çdo qytetar të pajiset me mjetin e identifikimit në një kohë sa më shkurtër. 

“Zyra e Aleat-it do të jetë këtu për këtë njësi, për kartat e identitetit dhe pasaportat, pa pasur nevojë të që qytetarët të shtyhen në radhë në njësitë e tjera. Sigurisht, për Aleati-in që emeton kartat e identitetit edhe pasaportat, do të shtojmë ambientet edhe në njësitë e vjetra. Ndaj vlen si njoftim për të gjithë qytetarët”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur se e gjithë kjo zonë do të përfitojë një sërë investimesh të rëndësishme, si në infrastrukturën arsimore, atë urbane, edhe në ujësjellës.

/Ora News.tv/