Shqiptarja drejt Italisë, për të hedhur dritë mbi vdekjen e bashkëshortit italian

Shqiptarja drejt Italisë, për të hedhur dritë mbi vdekjen e

Pritet të mbërrijë së shpejti në Itali shqiptarja Elva Kurti, bashkëshortja e italianit Rosario Tilotta, trupi i të cili u gjet pak ditë më parë në fund të liqenit Sebino, pas 15 vitesh që rezultonte i zhdukur.

Dëshmia e saj pranë autoriteteve italiane si dhe autopsia ligjore do të ndihmojë të zbardhë enigmën e italianit 59 vjeçar i zhdukur prej korrikut të 2004.

Shqiptarja, Elva Kurti, që në kohën e ngjarjes ishte 22 vite më e re se bashkëshorti i saj, ka kontaktuar një ditë më parë, (3 shtator) në rrugë telefonike Policinë e Bergamos duke konfirmuar identitetin e saj. Ajo jeton aktualisht në Mal të Zi bashkë me fëmijët.

Mediat italiane përcjellin informacione që bëjnë më enigmatike jetën e këtij çifti. Elva Kurti pak muaj pas zhdukjes së bashkëshortit sjell në jetë djalin e saj Roberto, të cilin thotë se e ka me ish-bashkëshortin e parë shqiptar, e të cilit i ka vënë mbiemrin e saj.

Prej 2007 ajo largohet përgjithmonë nga Italia. Autoritetet italiane mendojnë se dëshmia e saj është thelbësore në zbardhen e ngjarjes.

Ndërkohë në liqenin Sebino të Bergamos, vazhdon operacioni për rekuperimin nga uji të automjetit së bashku me trupin e viktimës.

Ekspertët kanë konstatuar se trupi është në gjëndje të saponifikuar, kontakti prej 15 vitesh me ujin ka krijuar mbi trup një shtresë të bardhë si sapuni e ekziston rreziku që pas daljes në sipërfaqe trupi të dëmtohet plotësisht, duke eleminuar të gjitha mundësitë e kryerjes së autopsisë.

Një ekip ekspertësh të ndihmuar nga Marina Ushtarake po punojnë për realizimin e këtij operacioni të komplikuar.

EMISIONET