Shqiptari nga Kosova krijon aplikacionin android për të huajt në Itali

“Infostranieri” quhet aplikacioni që u vjen në ndihmë të huajve në Itali dhe idea e realizimi kanë qenë të shqiptarit nga Kosova Bashkim Sejdiu. Aplikacioni mund të shkarkohet nga sistemet operative Android apo iOS dhe ofrohet në 10 gjuhë të ndryshme, ku përfshihet edhe gjuha shqipe.

Nëpërmjet disa formularëve dixhitalë shpjegohen praktikat burokratike dhe dokumentat që nevojiten për të aplikuar për Permesso di Soggiorno (Leje qendrimi), për bashkim familjar, për nënshtetësinë italiane apo edhe të tjera si këto.

I projektuar dhe krijuar në vitin 2014-të, aplikacioni paraqitet i suksesshëm dhe për ideatorin Sejdiu kjo është një arritje e madhe.

Kush është Bashkim Sejdiu?

I cilësuar si emigranti që mbështet integrimin e të huajve, Sejdiu ka lindur 34 vite më parë në Preshevë, në Kosovë dhe familja e tij u transferua në Itali kur ai ishte vetëm 10 vjeç, aktualisht jeton në Varese, në rajonin e Lombardisë.

Gjatë një interviste të dhënë në Itali për Radio Dj, ideatori shqiptar ka shpjeguar se aplikacioni ka si qëllim të jetë një mjet ndihmës për të huajt që vijnë për herë të parë në Itali, si edhe për ata që jetojnë prej kohësh në territorin italian.

Sipas Sejdiut, ky aplikacion përmban të gjithë informacione që ai do të kishte dashur të kishte kur shkeli për herë të parë në Itali dhe gjithashtu nëpërmjet tij emigranti arrin të jetë sa më autonom në zgjidhjen e çështjeve burokratike, duke përmirësuar dhe përshpejtuar kështu integrimin në shoqërinë italiane.

Vështirësi dhe paragjykime

Por nuk ka qenë e thjeshtë për shqiptarin e Kosovës që të arrinte në realizimin e idesë së tij pasi i është dashur të përballet me vështirësi dhe paragjykime të shumta, siç shprehet ai, ky projekt nuk shihej me sy të mirë nga shumica.

Mes vështirësive, përkushtimit dhe këmbënguljes, Bashkim Sejdiu arriti të bindte institucionet italiane duke u shpjeguar atyre potencialin dhe dobinë e këtij aplikacioni.

Pyetjes se cila është gjuha më e shkarkuar e këtij aplikacioni, Sejdiu i është përgjigjur se nuk ekziston një e tillë me përqindje më të lartë shkarkimi, pasi përdorimi është omogjen nga ana e të huajve që ndodhen në Itali.

Për 34-vjeçarin nga Kosova, ‘Infostranieri‘ nuk është vetëm një dixhitalizim i informacioneve që u vijnë në ndihmë të huajve, por është edhe një mjet i rëndësishëm që ndihmon institucionet italiane për t’u gjendur më pranë njerëzve me kombësi të ndryshme që jetojnë apo që do të jetojnë në Itali.

Bashkim Sejdiu e cilëson veten si shqiptari i vetëm që është bërë i famshëm në Itali për krijimin e një aplikacion dhe për të, ky realizim ka qenë jo vetëm një detyrim moral por edhe një ëndërr e bërë realitet.

 

EMISIONET