Një shqiptar është ekzekutuar mbrëmjen e së mërkurës në Athinë.

Sipas policisë viktima ishte duke pirë kafe në një lokal në rrugën "Kritis" shumë afër sheshit qëndror "Omonia".

Pak para orës 23:00, dy persona ndalojnë me një motoçikletë përpara kafesë e cila është një vend ku mblidhen shqiptarët dhe në atë orë ishte plot, pasi klientët po ndiqnin një ndeshje futbolli.

Njëri nga ekzekutorët zbret poshtë dhe hap zjarr ndaj shqiptarit nga një distancë e afërt.

Sipas policisë janë dëgjuar 3 të shtëna, të treja e kanë kapur viktimën në kokë.

Më pas vrasësi i ka hipur motoçikletës dhe së bashku me bashkëpunëtorin e tij janë zhdukur nga vendgjarja.

Nga mënyra e organizimit, policia greke dyshon për një larje hesapesh mes vrasësve dhe viktimës.

Po mbrëmë disa orë më vonë rreth 2 e 30 në lagjen Moskato një tjetër ekzekutim mafiz do të trondiste Athinën. Viktima një 49 vjeçar grek, i cili është pritur nga vrasësit shumë afër shtëpisë.

I janë afruar nga prapa dhe e kanë qëlluar 5 herë me pistoletë në kokë. Policia gjeti në vendgjarje 5 gëzhoja 9 mm.

Viktima, prind i dy fëmijëve, punonte në një firmë si polic privat.

Edhe në këtë rast policia mendon se mund të ketë të bëjë me larje hesapesh.


/Ora News.tv/