20 mijë dollarë për të udhëtuar ilegalisht drejt SHBA. Ky është çmimi që disa dhjetëra qytetarë shqiptarë kanë paguar për të udhëtuar drejt SHBA, Kanadasë e Britanisë së Madhe të pajisur me pasaporta false.

10 mijë dollarë paguheshin në momentin që marrin në dorëzim pasaportat dhe biletat e avionit, ndërsa 10 mijë dollarë të tjera pasi mbërrinin në Amerikë e pagesa bëhej me anë të një llogarie bankare amerikane.

Policia italiane e qytetit të Peruxhias në bashkëpunim me Policinë kufitare amerikane Homeland Security ka ekzekutuar operacionin "Overtime" i cili ka goditur grupin kriminal italo-shqiptarë që organizonte udhëtime me pasaporta false të shtetasve shqiptarë drejt SHBA.

Në hetimet e këtij operacioni ka marrë pjesë dje një agjent i FBI e janë shtrirë në tre shtete në Shqipëri, Itali e SHBA duke identifikuar 36 shtetas shqiptarë që kanë hyrë në teritorin amerikan me pasaporta të falsifikuara o të vjedhura italiane.

Nën pranga janë vënë 3 persona: shtetasi shqiptar P.P 37 vjec e dy italianë 47 e 44 vjeç.

Që prej vitit 2013 me anë të një agjencie turistike në pronësi të shtetasve italianë, ata organizonin udhëtime të shtetasve shqiptarë drejt Amerikës, Kanadasë e Britanisë së Madhe. Disa herë pagesa kryhej me këste e në raste vonese kërcënoheshin me dhunë familjarët e personave.

Sipas policisë italiane shtetasi shqiptar ishte personi që siguronte pasaportat, të cilat rezultojnë të vjedhura apo të falsifikuara. Ky grup kriminal kishte disa baza logjistike në Shqipëri.

Gjatë ditës së sotme 37 vjeçari shqiptar është marrë në pyetje nga prokuroria italiane dhe avokati i tij David Zaganelli ka deklaruar se ai do të bashkëpunojë me drejtësinë italiane duke rrëfyer skemën e plotë të këtij aktiviteti kriminal

Të akuzuarit për të komunikuar mes tyre përdornin sistemin Viber.

/Ora News.tv/