Shqiptarët në Itali sigurojnë fondet për sjelljen e trupit të pajetë të Viktorit

Në dhimbje njerëzit me zemër të madhe të qëndrojnë pranë.  Familja Picaku është gjetur e rrethuar me miq të cilët, deri dje nuk e dinin se i kishin pasur pranë.

Pas apelit të së ëmës dhe të atit, nga banesa e tyre e varfër në Durrës, komuniteti shqiptar në Korato organizoi një manifestim për të mbledhur fonde për transportimin e trupit të pajetë të 24 vjeçarit në Shqipëri.

Organizimi u bë të shtunën, pikërisht në piacën Abbazia e qytetit Korato ku të mërkurën e 1 gushtit 2 të rinj me motor qëlluan për vdekje Viktorianin.

Lejda Zaka jeton prej vitesh me familjen në Korato të Italisë, e prekur nga historia bëri apel në rrjetet sociale për të mbledhur fonde në manifestimin e së shtunës 4 gusht

"Le të bëjmë një gjest mirësie, e dashurie. Le të mundësojmë  një nënë të përfaqojë për herë të fundit djalin"

Fluturo si shqiponjë e lirë

"Një djalë i qeshur, diellor që donte jetën. Erdhi këtu për  një të ardhme të mirë. Kishte zemër të madhe dhe mbronte më të dobtit" kështu e kujtojnë miqtë e tij mes lotësh.

Në këto momente ata i janë gjetur pranë vëllait, të motrës, dhe familjarëve të tjerë të Viktorit që jetojnë në Korato për të përballuar dhimbjen dhe për të mbledhur fonde për të bërë të mundur transferimin e trupit të pajetë drejt Shqipërisë.

Ne vendin ku u vra ka shumë lule dhe postera me dedikime: "Fluturo në qiell si Shqiponjë e lirë" Pusho në paqe Viktor"


Mes lotësh dhe lutjes në qiell u lëshuan tullumbace me qirinj të ndezur  

"Nuk  jemi këtu për polemika. Besojmë në drejtësinë italiane dhe do të japim kontributin tonë por na duhet ndihma juaj.  Besojmë në ju, qytetarë të Koratos me zemër të madhe dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar tjetrin. Një gjest mirësie dhe dashurie fiton mbi të keqen dhe një gjest solidariteti të na bashkojë në një drejtim, atë të paqes, dinjitetit human, respektit për jetën përtej fesë, kombësisë dhe ngjyrës" lexon mesazhin Xheni Filari, e cila kishte të njëtën moshë me Viktorin.

Sot u mësua se fondet janë arritur të mblidhen. Një familje e pasur italiane e Koratos garantoi spostimin e trupit të pajetë nga Bari në Durrës falas . Ndërsa janë mbledhur dhe fondet për shërbimin funeral në Durrës.

Tashmë pritet leja e kuesturës për të bërë transportimin e arkivolit drejt Shqipërisë, në mënyrë që nëna dhe babai ti japin përqafimin e fundit djalit të tyre i cili u largua në Itali për një jetë më të mirë por do kthehet në atdhe brenda një arkivoli



EMISIONET