Qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, kundërshtojnë në çdo formë shkëmbimin e mundshëm të territoreve me Serbinë.

Ata theksojnë se resurset më të mëdha natyrore Kosova i ka në pjesën veriore të saj.  

Ndonëse, aktualisht e vlerësojnë të qetë situatën, ata kërkojnë nga institucionet e Kosovës angazhim shumë më të madh për atë pjesë. Radio Kosova ka qëndruar në komunat veriore, të banuara me shqiptarë e serbë për ti pyetur dhe marrë koment atyre.

Çfarëdo ideje për shkëmbim territoresh nuk do të pranohet nga shqiptarët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës. Qytetarët që jetojnë në komunat me shumicë serbe, theksojnë se resurset kryesore natyrore Kosova i ka në pjesën veriore të territorit të saj. Nuhi Peci nga komuna e Zveçanit, e kundërshton çdo ide për shkëmbim, që siç thotë ai, nëse humb veriu atëherë humb e tërë Kosova. 

“Ajo që flitet se gjoja mund të ndodhë shkëmbim i territoreve nuk është aspak e favorshme për Kosovën. Të gjitha pasuritë më të mëdha natyrore janë në këtë pjesë. Si t`i humbin Trepçën, Zveçanin e Ujëmanin, e humbin krejt Kosovën, sepse këndej janë pasuritë kryesore”

Edhe Izet Nela që jeton në pjesën veriore thotë për Radio Kosovën se çdo ide që flitet për shkëmbim është e papranueshme dhe se një gjë e tillë mund ta defunksionalizojë shtetin e Kosovës.

“Po, a janë në vete ata që flasin për shkëmbim. Lufta është bërë për Mitrovicën. Se, sikur t`ia kishim dhanë në fillim Mitrovicën nuk do të kishte luftë në vitet 1998/1999. Veç me ia pas dhanë Ujmanin e Trepçën, sepse kjo është pasuria e Kosovës. Therra të Drenicës e rrush të Rahovecit Serbia ka mjaftë”

E, për Gazmnd Vitakun, është me rëndësi që Kosova e Serbia të arrijnë paqe mes vete. Megjithatë, ai thotë se për çështje shumë të rëndësishme vendosin fuqitë e mëdha botërore.

“Le të bëjnë çfarë të donë këta politikanët por, vetëm të ketë paqe në Kosovë. Edhe nëse bisedimet zgjasin 50 vjet, le të vazhdojnë, por përfundimi le të jetë një marrëveshje për paqe. Ne e dimë se nuk i kanë fajet as Hashim Thaçi e as Aleksandër Vuçiq por krejt bahet veç qysh thonë fuqitë e mëdha”.

Për dallim nga qytetarët shqiptarë që jetojnë në tri komunat veriore, qytetarët serbë nuk dëshirojnë të flasin shumë rreth kësaj çështje. Për Milorad Stojkoviç politika nuk është aspak e rëndësishme. Ai thotë për Radio Kosovën se situata e fundit është e qetë, ndonëse siç shprehet ai, asnjëherë nuk ndjek lajme që kanë të bëjnë me politikën.

“Me të thënë të drejtën mirë, si gjithmonë njëjtë. Po edhe nuk jam shumë  i interesuar për politikë dhe më beso nuk e përcjell. Nuk shikoj televizor, e vetmja gjë që shikoj dhe ndjek është sporti”.

Veç tjerash, shqiptarët që jetojnë në komunat të banuara me shumicë serbe, kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të kenë plane konkrete për investime. Ata thonë se qeveria duhet të tregojë më shumë dorën e saj që ta ringjallin jetën e shqiptarëve në veri

/Ora News.tv/