Për vitin 2017 Shqipëria është konsideruar nga mediat prestigjioze si perlë e pazbuluar për turistët. Por sa i përgjigjet kjo realitetit dhe a ka një strategji për të thithur pushues përgjatë gjithë vitit. Veç lajmeve promovuese dhe mjaft të rëndësishme, operatorët turistikë kërkojnë haritmin e një plani konkret që do të kthente natyrën shqiptare dhe trashëgiminë kulturore në një thesar për ekonominë shqiptare. 

“E ndodhur pranë Britanisë së Madhe dhe jashtë BE-së, Shqipëria është një mundësi e shkëlqyer për udhëtarët e pavarur. Ka vargmale spektakolare, qytete të lashta dhe një shtrirje të shkëlqyer bregdetare të paprishur të Adriatikut. Ajo që do të gjeni në Shqipëri është një vend i pazakontë me kosto të ulët dhe pa turizëm mase...” nga  “The Guardian”. 

“…Në këtë cep të harruar të Europës, aty ku jo çdokush shkon, mund të gjesh akomodim deri në 5 dollarë personi. Me plazhe fantastike përgjatë bregdetit të saj, përfshirë portin e Sarandës, Shqipëria u ofron vizitorëve shansin të shijojnë ujërat e Mesdheut për një fraksion të çmimit të zakonshëm dhe gjithashtu zonat e mrekullueshme historike …” nga “Forbes”.

“Kur bëhet fjalë për udhëtime, pak vende kanë mbetur mister në Europën Perëndimore. Nëse i hidhni një sy hartës, mund të vini re një xhep relativisht të panjohur. Shqipëria është si një pjesë e humbur e një mozaiku të plotësuar, pjesa e fundit e tokës përgjatë Adriatikut që nuk është kthyer në destinacion të madh turistësh për plazh" nga “The Telegraph”.

Kështu është përshkruar Shqipëria turistike në disa nga mediat prestigjioze ndërkombëtare, duke iu drejtuar të apasionuarëve pas udhëtimeve apo edhe pushuesve në të gjithë botën ftesën për vizituar këtë destinacion të ruajtur jashtë rrugëve të rrahura … dhe nga turistët! 

Revista “Forbes” e rendit Shqipërinë si destinacionin më të lirë të botës për 2017-ën, teksa përshkruan bukuritë e vijës bregdetare të Sarandës, qytetit malor mesjetar të Gjirokastrës dhe rrënojat romake të Butrintit. 

Një vlerësim i bërë në kulmin e sezonit turistik, kur me dhjetëra turistë të huaj kishin zgjedhur të pushonin në brigjet e Adriatikut dhe Jonit.

Gjiganti mediatik amerikan “CNN” në portalin e tij on-line “cnn.com”, në një rubrikë të veçantë ku reklamohen vende nga e gjithë bota, e rendit Shqipërinë në 17 destinacionet globale që nuk duhen humbur në 2017-ën.

“Vend i vogël mesdhetar – dikur një nga më të izoluarit shtete staliniste të epokës së Luftës së Ftohtë – i cili ka qenë i mbajtur ‘sekret’ nga Evropa për pjesën më të mirë të dy dekadave të fundit. Ka shumë diell dhe milje të tëra me plazhe të pacenuar dhe të virgjër. Ka një kulturë të ngjashme me Greqinë aty pranë, por shpesh ka gjysmën e çmimieve të sherbimeve turistike se sa ai vend. Shqipëria po vazhdon të lulëzojë dhe të zhvillohet edhe për vitin 2017”,– shkruan ndër të tjera artikulli i “CNN” për Shqipërinë.

E përditshmja britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një shkrim zhvillimit të turizmit detar në Shqipëri, duke vlerësuar se vendi ynë ka potencialin të kthehet në një pikë kryesore për turistët që preferojnë pushimet në plazh. 

Ndërsa e përditshmja italiane “La Repubblica” i ka dedikuar një artikull numrit të lartë të pushuesve italianë që zgjodhën Shqipërinë si destinacionin e tyre veror. Cilësia, çmimet e lira, plazhet e bukura, por edhe mundësia për të kryer një sërë aktivitetesh në peizazhet malore, e kanë kthyer Shqipërinë në vendin më të preferuar për turistët italianë.

 “Zbuloni plazhet e fshehura të Shqipërisë”.  Kjo është ftesa që përcjell gjigandi botëror i industrisë së guidave turistike dhe udhëtimit, Lonely Planet në një video dedikuar bregdetit shqiptar. Ndjekësit e gjigandit australian njihen me bukuritë natyrore të vendit tonë, kushtuar kryesisht plazheve që nuk janë shumë të populluara. Lonely Planet u bën thirrje të gjithë turistëve në mbarë botën se ka ardhur koha të eksplorohen thesaret e fshehura të Shqipërisë. 

Turizmi në Shqipëri është promovuar edhe nga televizioni kombëtar francez, “France 2”, i cili në një reportazh ka vënë në dukje disa prej anëve më pozitive për këdo që vendos të kalojë pushimet e tij në vendin tonë. Në material Shqipëria etiketohet si një perlë e fshehur e ‘Ballkanit’ me ujëra të kristaltë në plazhe, peisazhe mahnitëse malore si dhe e fundit por jo nga rëndësia, çmimet ekstremisht të lira. 

“Pushoni me 500 euro për një javë”, është fraza që nënvizohet. Më pas, citohet riviera shqiptare, e cila përshkruhet si një vijë bregdetare prej 90 kilometrash e mbushur me plazhe fantastike por edhe me qytete interesante si Saranda.” 

 “The Guardian” në një artikull ku liston 10 destinacionet turistike që këtë vit do të zgjidhen për të pushuar nga britanikët, e rendit Shqipërinë të tretën, pas Nepalit dhe Afrikës së Jugut, duke lënë pas vende si Bullgaria, Kolumbia apo edhe Serbia. Sipas “The Guardian”, rreth 41% e britanikëve do të ndryshojnë këtë vit planet për të pushuar, për shkak të zhvlerësimit të sterlinës. 

“Britanikët, duket se do të zgjedhin të pushojnë kudo nëpër botë, por nuk ka asnjë dyshim që 2017-a do të jetë viti i Europës Juglindore”, thotë drejtuesi i web-it Travelzoo, Joel Brandon-Brown.

Në artikullin me titull “Thesaret e fundosura në bregdetin e Shqipërisë”, prestigjiozja “Associated Press” pasqyron trashëgiminë nënujore të vendit tonë:

“Në brigjet e thyer të Shqipërisë, një nga bregdetet më pak të eksploruara në botë, gjendet një pasuri e thesareve: anfore të lashta - anije të gjata dhe të ngushta terrakote që bartnin vajin e ullirit dhe verën përgjatë rrugëve tregtare midis Afrikës së Veriut dhe Perandorisë Romake, tregime të fshehura të heroizmit dhe tradhtisë nga dy luftëra botërore, formacione spektakolare shkëmbore dhe jetë detare.”

Agjencia Kombëtare e Turizmit e fillon promovimin e vendit disa muaj përpara nisjes zyrtare të sezonit turistik, në nëntor, dhejtor dhe deri në mars. 

Promovimi bëhet kryesisht nëpërmjet panaireve kombëtare dhe ndërkombëtare turistike, botimit të materiale promovuese, udhëtimeve familjarizuese me tur operatorë të ndryshëm ndërkombëtarë, mediave, ekspozitave etj. 

Drejtuesi i Agjencisë Kombëtare e Turizmit, Ardit Çollaku, shton se ky promovim ka rezultuar deri më sot i suksesshëm, sepse shkrimet që janë publikuar nëpër mediat e ndryshme kanë pasur impakt tek pjesa që nuk njohin potencialet turistike të Shqipërisë apo edhe tek përceptimi që kanë për vendin.

Në bashkëpunim me AKT, një prej televizioneve më të ndjekur në Turqi, “Kanali 7” i ka kushtuar Shqipërisë një reportazh prej 42 minutash. Emisioni “Duke udhëtuar nëpër botë” i gazetares turke Ozlem Tunca pas Kosovës, Maqedonisë, Bullgarisë, Sllovenisë, por dhe shumë vendeve të botës ka mbërritur edhe në Shqipëri. 

“Arnavutluk – Shqipëria”, titullohet reportazhi, i realizuar edhe në bashkëpunim me Agjencinë tonë Kombëtare të Turizmit, i cili rrëfen pak nga të gjitha mbi vendin tonë; natyrë kombinuar me histori dhe kulturë.  

Padyshim që marketimi shihet si një element i domosdoshëm për Shqipërinë për operatorët turistikë, por ata theksojnë se vendi ynë duhet të fokusohet në politika më të qarta. Enver Mehmeti, përfaqësues i operatorëve turistikë, thotë se Shqipëria ka etje për marketing.

Ndërsa për Drejtuesin e Shoqatës së Tur Operatorëve, Kliton Gërxhanin, Shqipërisë i mungon një strategji e saktë dhe një studim i mirëfilltë mbi ofertën turistike.

Drejtuesi i Agjencisë Kombëtare e Turizmit nënvizon se vendi ynë e ka një strategji të hartuar gati e cila pritet të miratohet. Synimi i kësaj strategjie është turizmi i konsoliduar.

Për të ofruar turizëm të qendrueshëm, nevojitet të punohet për turizmin 365 ditë, që mbetet një sfidë për vendin. Ndaj operatorët sugjerojnë hapjen e zyrave përkatëse që të prezantojnë ofërtën turistike me fokus tek kultura, mjedisi dhe kthimi i Tiranës një destinacion kryesor.

Pas krijimit të Brandit të Shqipërisë Turistike, Agjencia e Turizmit po punon me një studio suedeze, për të shndërruar Tiranën në një kryeqytet rajonal.

Shifrat e turistëve flasin për një numër të lartë vizitorësh që kryesisht kanë vizituar Shqipërinë gjatë sezonit veror. Sipas të dhenave të Agjencisë Kombëtare të Turizmit,  numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri për qëllime pushimi u rrit me 2.4 herë në 6-mujorin e parë të vitit 2017. 

Trendin pozitiv e konfirmojnë edhe operatorët turistikë por ata shtrojnë nevojën për një studim të statistikave për të patur një orientim më të qartë për vitin e ardhshëm.

Harta turistike është e hapur që nga tregu aziatik e deri në atë amerikan, kryesisht plazhet kanë qenë të populluar nga turistë çekë, sllovakë, polakë etj.

Një rritje është vënë re edhe në numrin e turistëve nga Europa Lindore dhe ajo Jugore, ndaj Gërxhani shtron nevojën e menaxhimit të këtyre tregjeve.

Por ajo që vihet re është edhe spostimi i tregut kosovar, që në Shqipëri dominon tek plazhet 60-70%. Për Mehmetin ky spostim ka ardhur për disa arsye.

Padyshim që diferencën gjatë vitit 2017 e bëjnë plazhet por edhe turizmi malor, liqenor, historia dhe kultura shqiptare. Vetë turistët shprehen të impresionuar nga Shqipëria.

Ajo çka vihet re është që edhe tashmë që sezoni turistik ka përfunduar turistët sërish e preferojnë Shqipërinë dhe shprehen se padyshim do të kthehen sërish për të shijuar edhe plazhin.

Steffie: Jam nga Britania e Madhe, kam ardhur në Shqipëri për të kaluar disa ditë. Këtu është shumë bukur, njërëzit janë miqësorë dhë të këndshëm, dhe po e shijoj shumë këtë vizitë. Për Shqipërinë më kishin folur disa miq, ata me treguan se sa këndshëm ishte dhe prandaj vednosa të vija dhe ta shihja vetë. 

Darwin nga Anglia: Kjo është hera e parë për mua që vizitoj Shqipërinë dhe njërëzit janë shumë të këndshëm. Më pëlqen ky vend dhe historia e tij. Mësova shumë mbi të shkuaraën komuniste dhe tani shoh se sa progres është bërë, pas asaj periudhe. Kam në plan të kthehem sërish në sezonin e verës për të vizituar bregdetin. 

Turistja nga Spanja: Ne vendosëm të vinim në Shqipëri sepse më duhet të punoj në Tiranë javën që vjen për një konferencë, dhe vendosëm të qëndronim pak më gjatë për të vizituar Shqipërinë pasi mendojmë se është një vend tepër interesant në Europë.  Kemi dëgjuar për Shqipërinë që ka qenë në një sistem komunist dhe më vonë u bë një shoqëri e hapur për botën. Na tërhoqi natyra pasi ju keni një panoramë të bukur gjeografike, keni detin dhe malet. Ne mendojmë se Shqipëria ka disa zona arkeologjike interesante dhe do të qëndrojmë në Shqipëri për dy javë. 

Turisti nga Spanja: Kam përshtypje shumë të mira për Shqipërinë, një vend me shumë kulturë. Më ka pëlqyer qëndrimi këtu si bredeti ashtu dhe zona malore. Është një vend interesant për t’u vizituar. Njerëzit janë shumë të dashur dhe mikpritës. Më ka pëlqyer shumë. 

Por pavarësisht entuziazmit për shifrat në rritje të numrit të turistëve, operatorët flasin edhe për disa nga probematikat e këtij sektori, teksa sugjerojnë rritjen e intensitetit të zonave të animuara dhe përmirësimin e infrastrukturës.

Ndërsa krahasuar me zhvillimin e turizmit në rajon, problem kryesor mbetet fakti se vendi ynë ka një treg të pastandartizuar.

Dhe sigurisht për të synuar një turizëm të qendrueshëm vitin e ardhshëm, numri i shtretërve duhet i saktë.

Qeveria e ka shpallur turizmin sektor prioritar në katër vjeçarin e ardhshëm dhe paketa e re fiskale vjen edhe me disa lehtësira për thithjen e investitorëve të huaj. Miratimi i projektligjit të propozuar nga Ministria e Financave për uljen e TVSH për strukturat akomoduese në turizëm, nga 20% në 6%, shihet si një indicie pozitive. Megjithatë, pavarësisht ndikimit në shtimin e shtretërve, për operatorët heqja e TVSH nuk përkthehet në burim investimesh.

Për vitin 2018 Agjencia e Turizmit po punon mbi një inciativë të re me vendet e rajonit për t’u hapur në tregje të reja. Nisma vjen në kuadër të bashkëpunimit me vendet e rajonit, për zhvillimin e sektorit të turizmit. Kreu i Agjencisë, Çollaku thotë se fokusi është pikërisht turizmi 365 ditë.

Shërbimet dentare pritet të jenë atraksioni tjetër turistik i Shqipërisë për të huajt. Ky është një fenomen që filloi kryesisht në vednet e rajonit si Kroacia dhe tashmë prej 3-4 vitesh është përhapur edhe në Shqipëri. Agjencia e Turizmit ka një plan ku synon jo vetëm promovimin e turizmin dentar për 2018-ën.

Këtë vit risi për turizmin është miratimi i Masterplanit për Alpet që synon zhvillimin e qëndrueshëm dhe të integruar të këtij rajoni për 15 vitet në vazhdim. 

Qëllimi kryesor është që Alpet shqiptare të hyjnë në një cikël të ri të zhvillimit të turizmit duke pasur një qasje më të ekuilibruar sa i takon zhvillimit dhe shfrytëzimit të asaj çfarë natyra i ka dhuruar këtij rajoni. 

Plot 1 miliard euro përfitim ekonomik në 15 vite pritet të gjenerojë projekti për zhvillimin e Alpeve shqiptare, që u mirata në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit në Shkodër.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha se plani synon të dyfishojë numrin e turistëve për çdo pesëvjeçar.

“Alpet kanë pësuar rritje progresive nga viti në vit. Por, synimi ynë është që të kemi mundësinë që me investimet e bëra dhe mënyrën e zhvillimit turistik të zonës, ne të kemi çdo 5 vjecar, dyfishim të numrit të turistëve. Nëse në vitin 2016 kemi pasur rreth 67 mijë turistë që vizitonin Alpet presim që kjo shifër të rritet në mënyrë progresive në vitin 2022  në 102 mijë turistë dhe pastaj për të shkuar në vitin 2031 me plot  600 mijë turistë për të cilët ne sot realisht jemi të pamundur.”

Alpet shqiptare dhe turizmi malor janë një nga atraksionet më të rëndësishme të vendit tonë dhe vetë presidenti Ilir Meta zgjodhi që përmes këtij promocioni të tregonte bukuritë e vendit dhe t’i ftonte të gjithë të zgjedhin Shqipërinë për të shijuar këtë mrekulli të natyrës.

 “Mos mendoni të dashur miq se jam në Tirol të Austrisë apo diku tjetër në Alpet e Evropës. Jam te ‘Syri i Kaltër’ në Theth të Shqipërisë, në Alpet më të bukura në botë. Mos e humbisni mundësinë për të vizituar ‘Syrin e Kaltër’ këtu në Theth në zemrën e Alpeve tona”.

“Shqipëria mbetet ende një vend për t’u zbuluar, shumë larg nga turizmi tradicional masiv që ka dyndur resortet e destinacioneve më të frekuentuara të Mesdheut...”

/Ora News.tv/