Shqipëria nuk konsiderohet më një vend i sigurt nga epidemia e fruthit, për herë të parë që nga viti 2012. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vendi raportoi mbi 1400 raste në vitin 2018, dhe mbi 400 në tetë muajt e parë të vitit. Situatë serioze mbetet edhe në botë, ku këtë vit janë regjistruar mbi 365 mijë pacientë me sëmundjen infektive.

Europa por edhe Shqipëria kanë bërë hapa prapa në luftën kundër epidemisë së fruthit në vitin 2019.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi të enjten se numri i rasteve të fruthit në kontinentin e vjetër arriti 90 mijë në muajt janar-gusht, një shifër gati tri herë më e lartë se e njëjta periudhë e vitit më parë dhe më e larta në historik që nga viti 2006.

Katër shtete europiane, mes tyre Shqipëria, Republika Çeke, Greqia dhe Britania e Madhe, u zhvlerësuan në raport me vitet e mëparshme duke mos u cilësuar më vende të sigurta për herë të parë që nga viti 2012.

Shqipëria raportoi 1,466 raste fruthi vitin e kaluar, dhe 475 raste nga janari deri në muajin gusht 2019.

Më të rrezikuara janë foshnjat nën 1 vjeç dhe fëmijët nga 1 në 4 vjeç që nuk kanë marrë vaksina kundër fruthit, por epidemia u përhap edhe te moshat 15 deri 24 vjeç dhe 25 deri 39 vjeç.

"Absolutisht që ka familje, komunitete dhe persona që janë keqinformuar jo vetëm për rrëzikshmërinë e sëmundjes së fruthit, por edhe për efikasitetin dhe sigurinë e vaksinave. Ndaj ne u bëjmë thirrje medieve sociale dhe personave me influencë që të komunikojnë informacion të saktë, të vlefshëm dhe shkencërisht të besueshëm," deklaroi drejtoresha Kejt O'brajen e Departamentit të Imunizimit dhe Vaksinave në OBSH.

Virusi ngjitës i fruthit mund të merret përmes frymëmarrjes edhe dy orë pas largimit të një të infektuari nga ambientet e brendshme, duke shkaktuar komplikacione të rënda në mushkëritë dhe trurin e njeriut.

Anembanë globit, rastet e fruthit në vitin 2019 u rritën në 365 mijë, ndërsa në 2017-ën gati 109 mijë e humbën betejën me sëmundjen infektive.


/Ora News.tv/