Raporti i portalit më të madh për indeksin e shëndetit dhe cilësinë e jetës e ka rënditur Shqipërinë dobët, në vendit e 82 nga 84 vendet të marra në shqyrtim. Por, Instituti i Shëndetit Publik e ka kundërshtuar këtë raport duke thenë se është i dyshimtë dhe pa burime zyrtare.

Shqipëria ka performuar dobët në shëndetësi. Portali "Numbeo" në studimin e tij për për cilësinë dhe kostot e jetesës e rëndit Shqipërinë  në vendin e 82 nga 84 vendet që janë marrë në shqyrtim në Europë për sa i përket Indeksit të Shëndetit.

Të dhënat e mbledhura në vitin 2017 tregojnë se Shqipëria ka shënuar 52.7 pikë nga 100 që janë në total.

Në krahasim me vendet e rajonit, Beogradi renditet në vendin 76 me me 55.8 pikë, e ndjekur Sarajeva në vendin e 62 me 63 pikë dhe nga Shkupi në vendin e 59 me 63.2 pikë.

Por, instituti i Shëndetit Publik në Shqipëri ka reaguar në lidhje me të dhënat e portalit Numbeo duke thenë se raportet që hartojnë indekse të agreguara me qëllim krahasimi të sistemeve shëndetësore mes vendeve të ndryshme, janë jo vetëm metodologjikisht të dyshimta, por edhe të bazuara në burime informacioni jozyrtare.

Sipas ISHP, renditja e “Numbeo” është një renditje e bazuar në një anketë me 10 pyetje të cilën mund ta plotësojë sipas perceptimit vetjak çdo vizitor i faqes.

Kjo anketë është rezultat i perceptimit të 32 vizitorëve të kësaj faqe online. ISHP shton se sipas të dhënave të publikuara në raportet e organizatave ndërkombëtare dhe Agjencive të Kombeve të Bashkuara si OBSH, UNICEF, UNFPA, Banka Botërore, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm gjatë viteve të fundit lidhur me rritjen e jetëgjatësisë së pritshme, uljen e vdekshmërisë në adultë dhe veçanërisht lidhur me rënien e vdekshmërisë foshnjore dhe fëminore.

/Ora News.tv/