Mëngjesin e 2 janarit, në qytetin suedez të Helsingborgut ka mbetur e plagosur vajza e aktivistit të njohur nga Kosova, Nasim Haradinaj. Pas një shpërthimi të fuqishëm të një eksplozivi, që ishte vendosur para derës së banesës së Ariana Haradinaj, kjo e fundit ka marrë lëndime trupore. Autoritetet suedeze ende nuk bëjnë të ditur se kush mund të ketë qenë shënjestra e sulmit.

Një shpërthim i fuqishëm me eksploziv në qytetin Helsinborg të Suedisë, ka plagosur vajzën e aktivistit të njohur nga Kosova, për çështjet kombëtare, Nasim Haradinaj.

Mëngjesin e 2 janarit ka mbetur e plagosur në banesën e saj, Ariana Haradinaj, pasi lënda shpërthyese ishte vendosur pas derës së banesës së saj.

Banorët përreth bëjnë të ditur se Haradinaj, e cila ushtron profesionin e infermieres, ka dalë e plagosur nga banesa e saj pas shpërthimit.

Policia bën të ditur se ende nuk mund të konfirmojë nëse vajza e Haradinajt, ishte shënjestra e sulmit, por ata deklaruan se shpërthimi ishte tejet i fuqishëm.

Autoritetet morën masat për evakuimin e banorëve brenda natës në një hotel. Ndërkohë ende nuk ka informacione rreth gjendjes shëndetësore të së plagosurës Ariana Haradinaj.

I kontaktuar nga mediat e Kosovës, nëse sulmi ndaj vajzës lidhet me veprimtaritë e tij politike, Nasim Haradinaj deklaroi se vendosja e eksplozivit në ndërtesat ku banojnë civilë cilësohet si një akt terrorist.

"Unë nuk dëshiroj që të bëhen spekulime rreth motiveve të këtij akti, pasi u takon autoriteteve suedeze të hetojnë rastin pasi të zbardhet kjo çështje atëherë institucionet e drejtësisë do të thonë fjalën përfundimtare dhe motivet e sulmit", ka thënë Haradinaj për Kosova Press.

Shikoni fotogalerine





/Ora News.tv/