Shkupi për Gruevskin: Ironike dhe paradoksale që një i dënuar strehohet në një vend të BE-së

Shkupi për Gruevskin: Ironike dhe paradoksale që një i

Shkupi zyrtar ka vijuar reagimet ndaj Hungarisë për strehimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, e quajti paradoksale që një vend i Bashkimit Europian strehon një të dënuar për korrupsion.

Deklarata e tij u bë gjatë një takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Danimarkës.

Dimitrovi tha se rasti Gruevski është sa ironik aq dhe paradoksal.

“Është sa ironike dhe paradoksale që një njeri i dënuar për korrupsion gjen strehim dhe fiton azil në një vend anëtar të BE-së. Kjo gjë është një problem për Bashkimin Europian dhe për besueshmërinë e parimit të sundimit të së drejtës në bllok”, theksoi Dimitrov.

Ai shtoi se në kuadër të takimit ministror të NATO-s, që do të mbahet në Bruksel më 4 dhe 5 dhjetor, do të bisedojë për këtë rast me homologun e tij hungarez Peter Sijarto.

Ndërkohë, zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Mile Bosnjakovski, u shpreh i sigurt se Gruevski do të kthehet dhe do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata, pasi pretendimet e parashtruara prej tij në kërkesën për azil janë të pabaza.

“Deri tani në të gjitha procedurat gjyqësore të ekstradimit midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Hungarisë nuk janë vënë re parregullsi. Është e qartë si kristali se pretendimet e Gruevskit janë të pabaza,” tha Bosnjakovski.

Bashkimi Europian paralajmëroi Hungaria se do të duhet të japë sqarime si vend anëtar nëse i jep statusin e azilantit politik Nikolla Gruevskit.

Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, e quajti të habitshme që Hungaria e konsideron Maqedoninë një vend të pasigurt.

"Sundimi i ligjit mbetet një parim themelor për vendet anëtare dhe ato që kandidojnë për të hyrë në BE. E habitshme që Hungaria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në BE, por e konsideron atë një vend të pasigurt".

EMISIONET