Shkup, qeveria dorëzon në parlament draftin e ndryshimeve kushtetuese

Shkup, qeveria dorëzon në parlament draftin e ndryshimeve kushtetuese

Qeveria e Maqedonisë ka propozuar ndryshimet e Kushtetutës dhe draftin e ka dërguar në parlament, për çka pritet të fillojë debati brenda pak ditësh.

Bëhet fjalë për propozim-ndryshime të kushtetutës që vlerësohen si thelbësore, që kanë të bëjnë me ndryshimin e emrit sipas Marrëveshjes së Prespës në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, me futjen në preambulë të historisë së ASNOM-it (Lidhjes antifashiste për lirinë e Maqedonisë) që shikohet si vënia e themeleve të shtetësisë së Maqedonisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Një propozim-amendament tjetër siguron respektimin e sovranitetit, tërësisë tokësore dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje, ndërsa saktëson pacenueshmërinë e kufijve dhe heq çdo mundësi të pretendimit territorial nga ana e Republikës së Maqedonisë.

Amandamenti i katërt ka të bëjë me kujdesin ndaj maqedonasve / shtetasve të R. Maqedonisë në diasporë dhe shtete të tjera; kujdes ky që shkon tek niveli i të drejtave të tyre kulturore, ekonomike e sociale, pa u përzier në punët e brendshme dhe të drejtën sovrane të shteteve respektive.

Qeveria pret që të gjithë ligjvënësit pa dallime partiake që t’i votojnë ndryshimet. “Kështu do të respektohej vullneti i qytetarëve të cilët votuan në referendum dhe i rreth 80 përqind të shtetasve të cilët mbështesin anëtarësimin e vendit në NATO dhe në BE”, thuhet në një njoftim të qeverisë pas seancës së të hënës.

Por, VMRO-DPMNE-ja opozitare thotë se (kryeministri) “Zoran Zaev nuk ka legjitimitet për ta ndryshuar emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë dhe identitetin, historinë, kulturën dhe traditën e popullit maqedonas”.

Këto ndryshime të Kushtetutës kërkojnë një shumicë të kualifikuar, përkatësisht 2/3 e votave të deputetëve në parlament, të cilat shumica aktuale parlamentare nuk i ka.

Shumica parlamentare me gjithë votat e deputetëve të Aleancës për Shqiptarët dhe të njërit krah të Lëvizjes Besa, të cilat nuk bëjnë pjesë në qeveri, ka 71 vota, ndërsa i nevojiten edhe nëntë vota të opozitës maqedonase.

Megjithatë, autoritetet qeveritare nuk e përjashtojnë mundësinë e arritjes së numrit të duhur të ligjvënësve për votimin e këtyre ndryshimeve.

Kryetari i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi në një intervistë për një televizion maqedonas tha se nuk dinte se në çfarë drejtimi po shkonin bisedimet me deputetët (e opozitës).

Sipas pritjeve, seanca ku do të votohen ndryshimet kushtetuese do të mbahet më 16 tetor.

EMISIONET