NINAT/SARANDE- Zogu shtegtar e i artë i Ninatit, njeriu i letrave shqipe, Bilal Xhaferri, pasi shtegtoi me mijëra e mijëra kilometra larg deri në Boston, Çikago e Nju York të Amerikës, është rikthyer atje ku lindi, në vatrën e folenë e tij, por kësaj rradhe ndryshe. Pas 45 vitesh, ai erdhi këtu i përjetësuar në bronz dhe në gjithë veprat e dala nga pena e tij. Në përvjetorin e 79 të lindjes, atje në thermelet e shtëpisë së familjes Xhaferri, në fshatin Ninat komuna Markat, me këmbënguljen e pashoqe të Antikes, motrës së Bilalit, u arrit që të ngrihet Shtëpia Muze e Bilal Xhaferrit. Në ceremoni peruruese morën pjesë shumë të ftuar nga Saranda, Vlora e Tirana por edhe nga Kosova, miq dhe dashamirës të veprave letrare të Bilalit. Gjithçka ishte përgatitur me kujdes dhe me merakun që Shtëpia Muze të ishte e kompletuar me tërë arsenalin dhe relike që i takojnë shkrimtarit Bilal Xhaferri. Në krye të dhomës ndodhej busti i shkrimtarit i derdhur në bronz, punë e skulptorit Idriz Balani. Ceremonia nisi me Hymnin e Flamurit. Në fjalën e tij historiani Halil Shabani tha se kjo është një ditë e rrallë. “Për të gjithë ne që jemi mbledhur këtu sot në themelet e shtëpisë së rindërtuar ku ka lindur ai burrë i letrave shqipe përbën një ditë të rrallë, një eveniment të jashtëzakonshëm”. Për motrën e njeriut të letrave shqipe, Antike Myrtaj, ngritja e shtëpisë Muze është një ëndërr e përmbushur të kujtim të vëllait të saj. “E kisha ëndërr këtë ditë që arrita të bëj realitet ngritjen e shtëpisë Muze në kujtim të vëllait tim, Bilalit. Mblodha pak e nga pak ato pak kujtime dhe relike që i kisha grumbulluar me shumë kujdes, deri edhe rrobat e tij të trupit që i kishte para se të vdiste, të ruajtura nga vetë të ruajtura për të”. “Erdha sot këtu mes jush se kam vlerësuar shumë penën e Bilal Xhaferrit. I kam lexuar me ëndje veprat e tij. Por sot këtu me plot gojën them: Se ndërsa jam kosovar, jam ndërkohë në brendësi të shpirtit tim edhe pakëz çam”, tha në intervistën e tij veprimtari i njohur shqiptar, Adem Demaçi. Pas prerje së shirtitit të pranishmit kanë vizituar dhomën muze dhe gjithë arsenalin e publikuar me kujdes nëpër stendat e varura në mur. Secila stendë fliste për jetën e shkrimtarit. Ndërsa nëpër eksponatet e vendosura në mes të shtëpisë ishin ekspozuar veshjet të shkrimtarit, madje edhe rrobat që kishte shkrimtari një ditë para vdekjes. Jeta dhe vepra e shkrimtarit Bilal Xhaferri  Shkrimtari Bilal Xhaferri është autor i shumë veprave letrare si: “Njerëz të rinjë, tokë e lashtë” shkruar në vitin 1967, vëllimit poetik “Lirishta e kuqe”. Në vitin 1967 Bilal Xhaferri paraqet për botim romanin “ Kastakraus”. Por në kulmin e krijimtarisë në një mbledhje të Lidhjes së Shkëimtarëve kritikon romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë duke u përballuar me drejtuesit e seancës. Pas kësaj Bilal Xhaferrit iu futën për të mësuar mbi biografinë e tij dhe si i tillë për të nisi një luftë e ashpër duke u cilësuar si armik. Nisur nga kushtet e reja të krijuara Bilali nuk duroi dot dhe në 23 gusht të 1969 arratiset fillimisht në Greqi e mandej në Amerikë. Jetoi këtu deri në fund të jetës së tij në 14 tetor 1986. Në 6 maj 1995 Qeveria shqiptare e asaj kohe solli në Shqipëri eshtrat e shkrimtarit.

/Ora News.tv/