Shkodër, reduktohet sipërfaqja nën ujë, mbeten shqetësim argjinaturat

Shkodër, reduktohet sipërfaqja nën ujë, mbeten

Sipërfaqja e përmbytur në NënShkoder vijon të reduktohet, duke rënë në 3740 hektarë, apo 1300 ha me pak se ditë më parë.

Por kjo nuk e ka penguar bashkinë Shkodër të ripërsërisë thirrjen e saj në drejtim të ministrisë së linjës dhe qeverisë, për shpallje të emergjencës së pjesshme civile, kërkesë që prej ditëve të para të vërshimit të ujit.

Ajo që vijon të mbetet shqetësim është gjendja e argjinaturave, si në Pentar, Shirq, apo Darragjat.  

Oranews ishte në Qafë Belaj, aty ku krijohet një nga kthesat me të rrezikshme të lumit Buna, që përfundon në Adriatik. Uji është tërhequr por gjurmet e dëmtimit janë të dukshme, ashtu si edhe thasët më rërë që banorët i vendosën vetë, duke e ruajtur për disa netë këtë argjinaturë.

Ata kërkojnë që argjinatura e Çasit të ngrihet me 1.5 meter në një gjatësi prej 200 metrash, pasi vërshime të tjera të ujit nuk mund të përballojë më dhe rrezikon dy fshatra.

Pastrimi i liqenit te Çasit është bërë vetëm njëherë gjatë 30 viteve te fundit, ndërkohë që banorët thonë se është e nevojshme qe te behet njehere ne 3 vjet e bashke me te edhe kolektorët e Vilunit. 

Kjo nuk është bere, ndaj dhe këneta e Malit Kolaj është e tejmbushur me ujë. Këtë të martë vijon të jetë e bllokuar rruga Shirq-Darragjat ndërsa ajo  Belaj-Rrushkull kalohet me makina ushtrie. Rreth 450 shtëpi vijojnë të jenë të rrethuara nga uji, ndërsa nevojat më të mëdha paraqiten për rezerva ushqimore.

Disa shkolla në Dajç janë pa mësim, ndërsa ujesjellësat vijojnë të jenë jashtë funksioni. Situata megjithëse po shkon drejt përmirësimit, pritet të zgjasë edhe për disa ditë me prezencë uji në këto fshatra.

EMISIONET