Champions League/ Dueli kundër The New Saints, tek Shkëndija synojnë ta mbajnë portën të paprekur

Champions League/ Dueli kundër The New Saints, tek Shkëndija

Kuqezinjtë janë gati për pjesëmarrjen e dytë në histori në eliminatoret e Champions League. Pas vitit 2011 dhe përballjeve me Partizanin e Beogradit në debutimin e Shkëndijës në kupat europiane, tani vjen tjetër paraqitje në garën më kualitative në Europë. Ndërkohë ndërmjet këtyre dy paraqitjeve në Champions kuqezinjtë kanë mbledhur përvojë në UEFA Europa League, kur dy vitet e fundit skuadra arrinte në fazën e play-offit. Tani pasojnë takimet me kampionin e Welsit, The New Saints dhe në konferencën për shtyp para ndeshjes me optimizëm janë shfaqur trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Armend Alimi.

“Rezultatet që kemi bërë gjaë fazës përgatitore na japin shpresë se Shkëndija është e gatshme për këtë ndeshje. Sigurisht se nuk do të jetë e lehtë, përballë një kundërshtari që luan rregullisht në Europë dhe ka përvojë të ndeshjeve të këtilla. Gabim është që na shikojnë si favorit, pasi edhe në vetë hedhjen e shortit ne ishim në vazon e jofavoritëve. Kemi analizuar kundërshtarin, nuk e di si do të luajnë nesër, por në raste të caktuara mbyllen shumë në zonën e tyre. Prandaj ne këtë ndeshje e marrim me seriozitet maksimal dhe do dalim në fushë për të dhënë më të mirën në kërkim të rezultatit pozitiv që do të jetë fitorja. Me rëndësi të shënojmë dhe mos pranojmë gol, megjithëse do donim të fitojmë sa më bindshëm që mundet”,-përfundoi Osmani.

Ndërkohë, kapiteni i kuqezinjve shpreson se forma e treguar në Slloveni do ndikoj dhe tek përballja e nesërme.

“Mendoj se na pret ndeshje e vështirë, por ne kemi zhvilluar fazë përgatitore shumë cilësore në Slloveni. Mendoj se me ndeshjet që kemi zhvilluar në Slloveni kemi arritur formën maksimale dhe jemi të motivuar të hyjmë sa më mirë në këtë ndeshje. Duam fitore pa gol të pranuar”,-u shpreh kapiteni, Armend Alimi.

Kuqezinjtë tanimë janë vendosur në Shkup, ndërsa sonte në orën 18:45 do të zhvillojnë seancën stërvitore në terrenin ku do të luhet ndeshja.

Përballja mes Shkëndijës dhe The New Saints zhvillohet të martën në orën 20:15 në stadiumin ‘Filipi i Dytë’ në Shkup.




EMISIONET