Shkëndija e Tetovës ka marrë një fitore të rëndësishme në javën e 10-të të Superligës maqedonase, pasi mposhti 2-0 kryesuesit e Vardarit. Në stadiumin “Boris Trajkovski” në Shkup, Emini në kohën shtesë të pjesës së parë dhe Ibraimi në të 89-ën i dhanë fitoren Shkëndijës, duke i shkaktuar Vardarit disfatën e parë në këtë sezon.

Pas kësaj fitoreje, kuqezinjtë e dërgojnë në -4 distancën me Vardarin e vendit të parë.

Ndërkohë Shkupi në Çair arriti të mposht Sileksin me shifrat 2-0. “Bardhekaltërit” ishin dominues në fushë përballë skuadrës nga Kratova, ku golat i gjetën përmes Serzhinjo në minutën e 50-të dhe Stojkoski nga penalltia 7 minuta më vonë.

Disfatë ka pësuar Renova në Tetovë, duke u mundur nga Rabotniçki me shifrat 2-0, ndërsa në ndeshjet tjera Bellasica mundi Pobedën me rezultat 2-1, ndërsa Makedonija Gjorçe Petrovi triumfoi me shifra minimale 1-0 përballë Akademia Pandevit.

/Ora News.tv/