Shkeljet e Vettingut, të shkarkohesh për një informacion të paprovuar

Shkeljet e Vettingut, të shkarkohesh për një informacion të

Komisioni i Vetingut, pavarësisht se është në detyrë prej shumë muajsh, po dëshmon se ka probleme të theksuara me zbatimin e procedurave, gjë e cila mund të rrëzojë gjetjet e tij në institucionet ku ankimohen vendimet e tij, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit apo në Gjykatën e Strasburgut.

Prokurori i shkallës së parë në Tiranë, Adriatik Cama, u shkarkua nga detyra të Enjten pasi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, siç raportoi, ka konkluduar se ai ishte përfshirë në një rast korrupsioni në vitin 2005, kur ishte drejtues i Prokurorisë së Lushnjes.

Në bazë të këtij informacioni, të përcjellë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Cama ka marrë para nga familjarë të një të arrestuari për të pushuar një hetim të nisur. Po sipas Vetingut, Cama, në cilësinë e drejtuesit, zëvendësoi prokuroren që e kishte këtë çështje, duke ia kaluar një prokurori tjetër, i cili vendosi pushimin e hetimit. Ky vendim pushimi më tej është shfuqizuar nga Prokuroria e Përgjithshme, por Komisioni i Vetingut nuk dha asnjë informacion se si kishte vijuar më tej kjo çështje.

Referuar këtij rasti, Komisioni i Vetingut e rrëzoi prokurorin Cama në dy kritere të rivlerësimit, në atë të “integritetit personale” dhe të “aftësive personale”. Gjithashtu, Komisioni i Vetingut gjeti edhe pasaktësi në deklarimin e pasurisë, të cilat ishin në rendin e rreth 3-4 milionë lekësh të vjetra, një shumë jo shumë domethënëse për një zyrtar publik me mbi 20 vjet karrierë.

Prokurori Adriatik Cama kundërshtoi gjetjet e Komisionit të Vetingut, duke kërkuar që të përballej në seancë me faktet dhe me personin që e ka denoncuar për mitmarrje në vitin 2005. Kjo kërkesë e tij u rrëzua nga Komisioni i Vetingut, duke i hequr të drejtën subjektit të rivlerësimit për të pasur një proces të rregullt ligjor dhe për të pasur barazi armësh në gjykim, sipas terminologjisë përkatëse.

Në këtë mënyrë, Komisioni i Vetingut shkeli një prej normave më të rëndësishme, të mbrojtura nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, ajo që i njeh të drejtën çdo individi për të pasur një proces të rregullt ligjor.

Kjo është një çështje proceduriale dhe parimore, mos-respektimi i të cilës mund të rikthejë të gjithë procesin e vetingut të prokurorit Adriatik Cama në pikën zero. Komisioni i Vetingut konsiderohet si një prej institucioneve kyç, ecuria e të cilit do të ndikojë drejtëpërdrejtë në hapjen e mundshme të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ndaj, çdo vonesë në aktivitetin e këtij institucioni, për shkak të shkeljes së procedurave nga Komisioni i Vetingut, pritet të shoqërohet me shtyrjen në një kohë të pacaktuar të të gjithë procesit.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (Strasburgut) ka theksuar në vendime të saj se “…çdo individ duhet të ketë mundësi praktike për të kundërshtuar një akt, i cili përcakton të drejtat e tij…”.

Në rastin e prokurorit Adriatik Cama, informacioni i DSIK, i cili për më tepër është i natyrës operative dhe që nuk fuqinë e provës në gjykatë, është një “akt përcaktues për të drejtën e tij” të punësimit. Në bazë të dokumentit të DSIK, Komisioni i Vetingut vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

Por, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Shqipërisë dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit refuzoi të pranonte kërkesën e prokurorit Adriatik Cama për t’u përballur me provat kundër tij dhe me denoncuesin që pretendon se ai ka marrë para korrupsioni në vitin 2005.

Pra, praktikisht prokurori Adriatik Cama u shkarkua pa e ditur se çfarë provash konkrete ka ndaj tij. Në mungesë të vendimit të zbardhur, është e pamundur që të analizohen argumentat e Komisionit të Vetingut në këtë rast dhe saktësia e informacionit, por ajo që është e dukshme është fakti që komisionerët kanë shkelur në mënyrë flagrante procedurat ligjore, gjë e cila e bën vendimmarrjen e tyre lehtësisht të cënueshme në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe, më tej, në Gjykatën e Strasburgut. /BoldNews/


Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrim nuk përfaqësojnë domosdoshmërish linjën editoriale të Ora News

EMISIONET