Shqiptari Arbër Cekaj i akuzuar për trafikun e mbi 600 kg kokainë në Shqipëri e i arrestuar pak kohë më parë në Gjermani, akuzohet se është dhe drejtuesi i një grupi kriminal i shkatërruar pak orë më parë në Itali që trafikonte kokainë nga Shqipëria drejt qytetit Novara .

Zbardhja e këtij trafiku droge u bë pas arrestimit më 2017 të një korrieri shqiptar droge e rrëfimit të tij.

Policia italiane e Novarës ka ekzekutuar gjatë natës (28-29  korrik 2019) operacionin e koduar "Fshatari" i cili ka çuar në ekzekutimin e urdhër arrestimit ndaj 26 personave të akuzuar për trafik droge të tipit kokainë nga Shqipëria në Itali.

Në pranga janë vënë 19 persona e 7 të tjerë janë shpallur në kërkim. 14 prej të arrestuarve banonin në qytetin e Novarës e 7 prej tyre janë shtetas shqiptarë, 6 italianë e 1 shtetas maroken.

Operacioni "Fshatari" ka marr emrin nga nofka, me të cilën thirrej një nga anëtarët e këtij grupi trafikantësh që kishte përgjegjësi për magazinimin e lëndës narkotike në Novara.

Hetimet e operacionit kanë nisur dy vite më parë, më 2017 pas arrestimit të një shtetasi shqiptar me 3 kg kokainë e 1 pistoletë. Pak muaj pas arrestimit ai ka vendosur të bashkëpunoj me forcat e policisë e rrëfimi i tij ka ndihmuar në zbardhjen e një trafiku kokaine që jo vetëm tranzitonte në qytetin e Novarës, por dhe kishte një qendër magazinimi në këtë qytet.

Kokaina e cilësisë së pastër 95% trafikohej nga Kolumbia në Shqipëri e më pas transportohej në Novara. Kokaina furnizonte tregjet e shitjes së saj jo vetëm në Novara, por dhe në Alessandria, Bustio Arsizio, Massa Carrara e Pavia.

Autoritetet italiane informojnë se kryetari i këtij grupi kriminal ishte shqiptari i arrestuar në Gjermani për trafikimin në Shqipëri të mbi 600 kg kokainë.

Ky grup kriminal trafikonte drejt Italisë sasi të konsiderueshme kokaine që çdo rrugë shkonte nga 5-10 kg, me vlerë përfitimi qindra mijëra euro.

Shqiptari i arrestuar në Novara më 2017 nga ku nisën dhe hetimet e këtij operacioni është Elton Shano, 38 vjeç, banues në Casalvolone, i cili u arrestua së bashku të dashurën e tij  G.S, një shtetase rumune 24 vjeçare, në operacionin e koduar "Koka e Krishtlindjes".

Në çantën e  Elton Shanos u gjetën 2 kg kokainë, ndërsa në garazhdin e tij u gjetën 1 kg tjetër kokainë, 1 pistoletë,  e disa instrumente për përgatitjen e konfekisionimin e dozave të kokainës. 

/Ora News.tv/