Kryen 12 grabitje brenda 4 muajsh, shkatërrohet grupi i grabitësve në Vlorë

Kryen 12 grabitje brenda 4 muajsh, shkatërrohet grupi i grabitësve

Policia ka arrestuar 6 persona të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një numër të madh vjedhjesh në Vlorë.

Ata kanë kryer 12 grabitje të ndryshme në qytetin bregdetar brenda 4 muajsh, nga muaji janar deri në prill.

Sipas raportimit të policisë, shenjestrat e tyre ishin më së shumti bizneset, ku mbizotërojnë lokalet.

Numri më i lartë i vjedhjeve është kryer gjatë muajit prill, ku janë realizuar 6 grabitje nga 12 në total.

Gjatë operacionit 'Mesnata' janë arrestuar:

Eduart Murati, 45 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini”

Beqir Murati, 22 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku”

Olsian.A., 18 vjeç, banues në lagjen “Osman Haxhiu”

Arklejd.M., 18 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”

Markel Stara, 21 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”

I.T., 16 vjeç, banues në Vlorë


Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë edhe 2 shtetas me iniciale M.L., dhe A.V., të dy banues në Vlorë, për shkak të moshës së mitur.

Policia ka sekuestruar edhe materialet e vjedhura në cilësinë e provës materiale.

Grabitjet e kryera:

"Më datë 19.04.2018, kanë vjedhur me thyerje, lokalin Bar-Kafe në pronësi të shtetases A.L në lagjen “Isa Boletini”, ku kanë marrë sende të ndryshme, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Më datë 16.04.2018, kanë vjedhur me thyerje, minimarketin e shtetasit R.Rr..

Më datë 15.04.2018, kanë vjedhur banesën e shtetasit V.Q..

Më datë 09.04.2018, kanë vjedhur me thyerje objektin gomisteri, pronë e shtetasit N.Zh..

Më datë 02.04.2018, kanë tentuar të vjedhin  dyqanin e shtetasit D.M..

Më datë 02.04.2018, kanë vjedhur dyqanin e shtetasit K.H..

Më datë 21.03.2018, kanë vjedhur me thyerje dyqanin e shtetasit R.H..

Më datë 09.03.2018, kanë vjedhur me shqyerje brave, lokalin në administrim të shtetases E.T..

Më datë 27.02.2018, kanë vjedhur me thyerje, dyqanin e shtetases E.B..

Më datë  16.02.2018, kanë vjedhur banesën e shtetasit L.P..

Më datë 01.02.2018 kanë vjedhur në banesën e shtetases A.Z..

Më datë 06.01.2018, kanë vjedhur një pompë uji,"-raporton policia.

Materialet hetimore do t'i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale “Vjedhja, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 134 e 25 të Kodit Penal.

EMISIONET