Shkatërrohet grupi hajdutëve, sekuestrohen 25 mijë euro bizhuteri

Shkatërrohet grupi hajdutëve, sekuestrohen 25 mijë euro bizhuteri

Policia e Tiranës ka organizuar një operacion për kapjen e një grupi hajdutësh që vidhte banesa.

Uniformat blu sekuestruan bizhuteri që kalojnë vlerën 25 mijë euro, që u gjetën brenda një kasaforte të hedhur në lumin Erzen dhe në banesat e të dyshuarve.

Autorët e kishin hedhur kasafortën brenda në lumë për të humbur gjurmët.

"Policia ka bërë të mundur që në lumin Erzen, në afërsi të Shijakut, të gjejë kasafortën që autorët kishin hedhur në lumë për të humbur gjurmët, si dhe gjatë kontrollit të banesave të tyre Policia gjeti dhe sekuestroi në cilesinë e provës materiale sendet si më poshtë: 41 ora të ndryshme të markave të shtrenjta, katër çelesa special për hapje dyersh, një automjet me targa AC 525 T, 11 lima për pastrimin e çelësave special, dy leva për hapje dyersh, një sasi monedhash metalike të llojeve të ndryshme, shtatë telefona celular, një elektrik (elektroshot), një sasi bizhuterish të ndryshme,"-njoftoi policia.

Operacioni i Komisariatit numër 2 nisi paraditen e së dielës (7 korrik) dhe u finalizua në orët e para të mëngjesit të sotëm me arrestimin e 3 personave.

'Kasaforta' nisi pas grabitjes së banesës së shtetasit Th. Q, më 6 korrik në rrugën “Sulejman Pitarka”. Grabitësit morën një kasafortë, brenda së cilës kishte disa bizhuteri të shtrenjta dhe një sasi parash.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, më datë 06.07.2019, rreth orës 19:00, kanë marrë njoftim se në rrugën “Sulejman Pitarka”, është vjedhur banesa e shtetasit Th. Q, ku kanë marrë një kasafortë, brenda së cilës kishte disa bizhuteri të shtrenjta dhe një sasi parash,"-informojnë uniformat blu.

Në pranga ranë:

-E. J., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, në bashkëpunim.

-A. Sh., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, në bashkëpunim.

-D.. P., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”.

Ndërsa u shpall në kërkim:

-K. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasja M. Gj., banuese në Tiranë, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Moskallëzim i krimit”.

"Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen edhe si autorë të vjedhjes së banesës së shtetasit E. Ç., ngjarje e datës 05.04.2019,"-raporton policia.

Materialet iu derguan Prokurorise së Rrethit Gjyqesor Tiranë, për veprime të mëtejshme.



EMISIONET