Ndërsa jugperëndimi i vendit mbytej për herë të dytë, uji kishte pushtuar tokën dhe gomonet ishin mjetet e vetme të transportit, Edi Rama shpikte historitë bajate të bashkëqeverisjes në një vend pa shi, pa përmbytje,  pa media. Nuk përpiqej të ndihmonte të përmbyturit, nuk kërkoi ndjesë për përgjegjësinë.

Ndërsa ata e humbisnin pasurinë për të dytën herë brenda 2 muajsh dhe për të pestën herë brenda qeverisjes së tij ai u kujdes t’i linte pa zë dhe pa figurë, urdhëroi mediat e tij të mos tregonin që qindra mijë njerëz u përmbytën sërish për shkak të keqqeverisjes. Bashkë me ujin që hynte nëpër shtepi dhe biznese, me shpendët dhe bagëtitë që dergjeshin nëpër lumenjtë e vërshuar nëpër fshatra, lundronin edhe milionat e Rilindjes Urbane.

Pllaka të vëna sa për të dalë në televizor, trotuare të bëra me prokurim të drejtpërdrejtë, miliona euro të hedhura për propagandë. Në 4 vjet e gjysmë të qeverisjes do të mjaftonin vetëm 10 nga 500 milionë eurot e hedhura për betonin e rilindjes Urbane që ata njerëz të mos përmbyteshin më, do të mjaftonin vetëm disa muaj për një studim dhe për zbatim, që pasuritë e qindra mijë shqiptarëve të mos rrënoheshin nga dy herë të vit. Mjafton që para fasadës së Rilindjes Urbane të bënte themelet dhe asgjë nga këto nuk do të ndodhte. E diela e daljes së bojës e konfirmoi atë, jo si piktor të talentuar që ekspozon nëpër botë, por si bojaxhi të dështuar.

Falangat e propagandës u rikthyen një ditë pas përmbytjes, për të deklaruar suksesin. Mijëra ushtarakë, policë dhe punonjës të administratës, i ndihmuan ata që u përmbytën. Kjo ndodhi vërtet. Aksioni i ndihmës shpëtoi disa jetë njerëzish, por nuk mundi të shpëtojë 20 mijë shpendët e ngordhura në ferras, apo dhjetra dynymë sera të mbjella me luleshtrydhe. Kryeministri nxjerr bilancin e dëshmpërblimeve për të sharë opozitën, fut dorën në thesin që mbushet nga të gjithë shqiptarët dhe paguan për bukën e gojës ata që humbën investimet e jetës. Përtej fasadës së dëmshpërblimeve dhe aksioneve të kërkim – shpëtimit, fshihet e vërteta e dëmit. Bujqësia dhe blegtoria e shkatërruar, dëmi fatal mbi 20 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit, ndikimi në ekonomi i të cilit është i pakompensueshëm.

Kryeministri që vrapon të dalë më dorën në qafën e të përmbyturve dhe të shajë opozitën dhe mediat nga vendi i krimit, nuk jep përgjigje për atë që i takon. Bën rolin e bamirësit me paratë që nuk janë të tijat, por nuk e bën rolin e kryeministrit për mallin e shkatërruar. Ata që janë përmbytur vërtetë, ata që kanë humbur investimet, jo vetëm që nuk dëmshpërblehen, jo vetëm nuk begenisen me nga një dorë në qafë , por bllokohen nga mediat, izolohen dhe censurohen, shpallen armiq të pushtetit.

Kjo është mënyra se si Edi Rama i menaxhon përmbytjet. Një fotografi në të thatë me bashkëqeverisësit, një video me ushtarakë që shpëtojnë njerëz, një vizitë prej bamirësi tek ata që i përmbyti dhe i la në terr. Këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, kurseu fjalën rekord. Nuk kishte rekord reshjesh, ishte vetëm një rekord, ai i keqqeverisjes.

 Ky rekord që nuk mund të mbulohet me mediat që ushqehen nga Buxheti i Shtetit apo lejet e ndërtimit, ky rekord nuk mund të fitojë pafundësisht duke blerë vota me para të paligjshme, ky rekord e mbushi bulevardin më qytetarë të pakënaqur dhe kampet e azilantëve me qytetarë të pashpresë. Deri në kanibalizimin e të varfërve, një kryeministër me rekorde të keqqeverisjes, mund të përfitojë nga injoranca dhe varfëria. Por kur varfëria bëhet e padurueshme, shembujt e historisë sugjerojnë skenarë të frikshëm.

/Ora News.tv/