Shiu do bjerë gjithnjë!

Shiu do bjerë gjithnjë!

Përmbytjet e dekadës së fundit në Shqipëri nuk janë vepër e Zotit, por e njerëzve që sillen si Zot. Nuk janë fatkeqësi natyrore, por fatkeqësi qeverisëse. Të gjithë ata që pretendojnë të kundërtën, ose janë injorantë (nuk e besoj), ose janë fanatikë politikë (e shoh shumë të mundshme).

Njerëzimi ka nevojë për ujin, por edhe për disiplinimin e tij. Kjo nevojë ka krijuar arkitektët, inxhinierët, edhe meterologët po të doni. Nevoja për disiplinë, mbrojtje nga natyra, por edhe nga njeriu ka krjuar edhe qeveritë, të cilat në bazë të dijes, përvojës, profesionalizmit dhe taksave që na mbledhin janë në gjendje të parandalojnë dhe eliminojnë mundësinë e fatkeqësive natyrore – kur nga qielli rrjedh më shumë ujë se normalisht. Për këtë qeveritë, me paratë e taksave, ndërtojnë diga, kanale, kolektorë, hidrovorë, pompa, puseta, saraçineska, rubineta e kështu me rradhë. Tërësia e këtyre shndërrohet në një sistem hidraulik që menaxhon prurjet e ujit. Qeveritë kujdesen vazhdimisht që të gjithë këto vepra që listuam të jenë në çdo moment në gjendje pune, të afta të përballojne ujin e tepërt të Zotit. Egjiptianët, grekët, romakët, inkasit, kinezët në lashtësi kanë dhënë prova për këtë. Si në Hollandë për shembull – vend i tëri nën ujë prej shekujsh, por që me një sistem funksional përballet me natyrën. Kjo është detyra e Qeverisë, dhe e askujt tjetër. Përmbushja e kësaj detyre, minimizon rreziqet dhe dëmet. Ne thjesht duhet të pyesim veten nëse është kjo arsyeja pse i votojmë Qeveritë? 

Në fakt, Qeveritë tona nuk kanë ndërtuar atë çka duhet për t’u përballur me natyrën, dhe as kanë mirëmbajtur atë që kanë në dispozicion. Pyesni ata që ju i gjykoni si specialistë – unë nuk jam i tillë - nëse kjo është e vërtetë ose jo. E vërtetë 100 për qind, dhe jo gjysëm e vërtetë. Nëse nuk jeni nga ata që e kanë bërë vetë këtë punë, pyesni edhe kush janë ata që kanë ndërtuar të pashqetësuar shtëpitë poshtë urës dhe mes fushave që përmbyten po nuk funksonoi kolektori, hidrovori, pompa; që kanë shkatërruar argjinaturat. Pyesni dhe ata që zenë kanalet për të mbjellë palma, apo që i shtrojnë ato me asfalt. Këta njerëz që bëjnë të tilla mënxyra në botën perëndimore – ku themi se duam të shkojmë – përfundojnë burgjeve dhe jo në qeverisje, dhe as në listën e njerëzve më të pasur të vendit. Dhe zullumi që kanë kryer në infrastrukturë, në sistemin që na mbron nga përmbytja, korrigjohet menjëherë.

Justifikimi se kjo që ndodh në rrugët tona, mbi pronat tona, sa herë bie shi në Shqipëri është fatkeqësi natyrore, apo se përmbytje ndodhin edhe në Itali, Greqi apo gjetkë, shërben vetëm si garancia, që ne vetë ja japim qeverisë që ajo mos bëjë asgjë, por thjesht të rrijë derisa kjo të kalojë vetë. Përmbytja mund te jete fatkeqësi natyrore të cilës nuk ke ç’ti bësh, por qeveria nuk është një fatkeqësi natyrore. Ajo maksimumi është vetëm fatkeqësi, dhe kur përmbytja ndodh, çdo vit, në njëjtin vend, atëhere qeverisë ke se çfarë t’i bësh. Mund ta rrëzosh. Por shumicës së shqiptarëve qe sapo e votuan këtë qeveri që kemi, kjo nuk i intereson. Sepse, ma do mendja që nuk e kanë votuar për të tilla punë, por për arsye të tjera.

Prandaj, si me lezet, si me kulture, si sëmundje e butë, shumëkush ndoshta do që kjo të shihet vetem si një fatkeqësi natyrore dhe jo si një çështje politike. Duke thënë se lagemi të gjithë njësoj. Por kjo është një çështje politike. Sepse me votë politike, ne mandatojmë qeverinë që të na rrijë lart, që të kujdeset për ne që rrimë poshtë. Me votë krijojmë Parlamentin që kemi, Qeverinë që kemi, Kryetarët e Bashkisë që kemi. Ata që duhet të kujdesen që ne, të gjithë, të mos përmbytemi. Çdo vit, në të njëjtat vende.

Por unë mendoj se këto përmbytje, që përsëriten çdo vit, janë si prova që ne nuk votojmë një forcë politike sepse besojmë që ajo do bëjë më të mirën për të gjithë shqiptarët, por vetëm se do sjellë përfitim për një palë në kurriz, në mos si ndëshkim, të palës tjetër. 

Kështu, çështje të përbashkëta si përmbytjet nuk arrijnë të manaxhohen dot. Kështu garantojmë që vjedhja në veprat e infrastrukturës të vazhdojë, që sigurimet mos paguajnë asnjë dëm, që diletantizmi dhe mungesa e profesionalizmit në projektim dhe zbatim të shndërrohet në rregull, dhe që qeveria, dhe askush tjetër, për të gjitha këto mos mbajë asnjë përgjegjësi. Por të dalë në television, radio, FB dhe thjesht të pozojë e të bëjë sikur punon, duke parashikuar vetëm 2.2 miliardë lekë në vit për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore? Kaq para nuk mjaftojnë për të blerë facoleta për të fshirë hundët për gjithë vitin. 

Por nëse është kjo ajo që duam, atëhere nuk ka asnjë arsye pse mos fusim një nen në Kushtetutë, që trajton përmbytjet dhe që thotë: Sa herë bie shi, do ketë përmbytje! Kështu biem rehat të gjithë. Edhe ju që doni që qeveria të mos mbajë përgjegjësi, edhe unë, që deri para se ky nen të mund të futet në Kushtetutë, do vazhdoj të dua dhe të kërkoj që qeveria ime, çdo qeveri, të mbajë përgjegjësitë e veta, dhe të garantojë mbajtjen e përgjegjësive nga të tretët,  në mbrojtje të jetës dhe pronës së individit kur bie shi. 

Jo për gjë, se shiu do bjerë gjithnjë! Nga lart, poshtë!

EMISIONET