Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj biznesmenit Ahmet Muçaj, ish-pronar i universitetit Kristal i arrestuar të hënën e kësaj jave me akuzën e shitjes së diplomave.

Burimet thanë për Ora News se organi i akuzës ka kërkuar një masë më të lehtë se arresti me burg por nuk dhanë detaje të mëtejshme. Nga ana tjetër me anë të këqyrjes së regjistrave, prokuroria ka vërtetuar faktin se tre persona të cilët kanë blerë diploma kundrejt shumave 2500 euro, nuk kanë frekuentuar asnjë ditë procesin mësimor tek Universiteti Kristal.

Sipas prokurorisë, në diplomat që shiste biznesmeni Ahmet Muçaj veç firmës së dekanit dhe kancelarit që janë vendosur me anë të skanimit, edhe numri i amzës është vendosur me bojë të njomë çka nënkupton se shënimi është bërë kohët e fundit edhe pse diplomat lëshoheshin për periudhën 2009-2014. Universiteti Kristal u mbyll nga ministria e arsimit në gusht të vitit 2014 ndërsa që prej vitit 2013 regjistrat e këtij institucioni janë depozituar në ministrinë e arsimit.  



/Ora News.tv/