Paraja nuk mund t’ju blejë lumturinë dhe ky është një fakt që përforcohet akoma më shumë në futboll dhe konkretisht tek skuadra franceze e Paris Saint Germain që pavarësisht shifrave stratosferike të hedhura në merkato e verës së kaluar  nuk arriti më lart se në fazën e 1/16-ave të Champions League.

Në këtë fazë, francezët u eliminuan nga kampionët aktual të Realit të Madridit, me rezultatin e përgjithshëm 5-2.

Kur në krye të klubit erdhi sheiku, Nasser Al-Khelaifi, ai kishte një plan për klubin parisien: t'i ngjiste ato në majën e futbollit europian dhe botëror.

E gjitha nisi në vitin 2011. Al-Khelaifi mbërriti dhe ringjalli shpresat në "Qytetin  e Dashurisë".

Që në sezonin e parë, pak më shumë se 110 milionë euro investime, me Javier Pastoren si emër "BIG", PSG-ja nuk arriti ta kalojë fazën e grupeve.

Pas kësaj, ishte Barcelona ajo që ia mohoi avancimin në fazën tjetër gjigantit francez në këtë garë prestigjioze. Klubi katalanas i eliminoj tre herë  nga Champions League, por jo para se PSG të derdhte para për t’i sjellë në skuadër lojtarët si Zlatan Ibrahimovic, Thiago Silva dhe Lavezzi. Gjithmonë përfundonte në çerekfinale, një fazë të cilën nuk e ka kaluar asnjëherë në pesë vitet e fundit.

Në sezonin 2013-14, pas edhe një vere investimesh të mëdha, ishte Chelsea ai që e nokautoi PSG-në, që në atë kohë kishte në radhët e veta Edinson Cavanin e yje tjera.

Vitin e kaluar, Barcelona triumfoi përsëri pasi bëri njërin prej rikthimeve më të mëdha në histori të sporteve. Si pasojë, PSG-ja i shpenzoi më shumë se 450 milionë euro këtë verë, të cilat se ndihmuan të shmangë eliminimin nga faza e njëjtë e garës.

Këtë herë ishte radha e Real Madridit.

Mbase kjo tregon se, në tregun e futbollit ku paraja flet, përsëri nuk mund të të blejë gjithçka.

/Ora News.tv/