Babë e bir janë kërcënuar me një pistoletë sportive nga një i ri 27-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në fshatin Pustec në Korçë.

Policia thotë se në pranga u vu i riu me iniciale M.B, banues në Bilisht.

"Ditën e djeshme në fshatin Liqenas, Pustec, shtetasi i mësipërm është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasit N.S, 43 vjeç dhe shtetasin D.S, 15 vjeç, banues në Liqenas, (atë e bir), ku gjatë konfliktit shtetasi M.B, dyshohet se i ka kanosur të dy këta shtetas me një armë sportive tip pistoletë dhe më pas është larguar me shpejtësi me automjetin e tij", thuhet në njoftimin e policisë.

Pas marrjes së informacionit, policia thotë se e arrestoi 27-vjeçarin në qytetin e Korçës.

"Nga kontrolli fizik dhe kontrollit të ushtruar në mjet, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë sportive tip pistoletë, me një krëhër me fishekë, të cilat ky shtetas i posedonte pa lejen përkatëse", thotë policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Kanosja”, “Vetëgjyqësia”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

/Ora News.tv/