Shënohet viktima e katërt nga virusi AH1N1. Një grua 75 vjeçare ka humbur jetën në spitalin e Senatoriumit në Tiranë, ndërsa mjekët njoftojnë se janë edhe 10 pacientë të shtruar në reanimacion.

Një grua 75 vjeçarë nga Lushnja është viktima e katërt nga virusi AH1N1 për vitin 2019. Gruaja ka humbur jetën të premten në spitalin e Senatoriumit.

Silvana Bala, mjeke: Ka qëndruar në spital 8 orë, ka ardhur në gjendje të rëndë. Me pamjaftueshmëri të funksionit të mushkërisë, me hipertension dhe me një diabet që pacientja nuk e kishte të konfirmuar më përpara. Është konfirmuar brenda ditës AH1N1.

Mjekja Silvana Bala tregon se edhe 10 pacientë të tjerë ndodhen në reanimacionin e Spitalit të Senatoriumit.

Silvana Bala, mjeke: Janë të inkubuar 3 paciente, ka komplikacione të pneunomisë në periudhën që normalisht është normale për virozat. Nuk mund të flasim për një alarm të AH1N1. Vetë AH1N1 nga 2009 deri në 2019 nuk mund të flitet për atë agresiviteti që ka qenë në epideminë e parë. 

Ndërkohë lidhur me vdekjen e një 38 vjeçari nga Elbasani ISHP të enjten njofton se ai nuk ishte i prekur nga gripi, por nga një pneumoni e rëndë.

/Ora News.tv/