Politikani i njohur Dashamir Shehi i ftuar mbrëmë në "360 Gradë" në Ora News, tha se trupa e policisë nuk është në gjendje të luftojë krimin, duke shtuar se ministri i Brendshëm duhet të largohet për shkak të vëllait të tij.

Shehi: Policia është bërë një trupë problematike. Nuk është në gjendje ta bëjë detyrën. Ka vite kjo punë. Ai Tahiri nuk është se qe i rrezikshëm sepse thjesht la të mbillet drogë -absolutisht kjo është kriminale - por sepse përdori policët për të numëruar drogën, për të numëruar parcelat, i bëri brigadierë. 

E përdori trupën e policisë në mënyrë kaq të hapur, sa ka pasur shkelje kushtetuese të rënda. Nëse e mbani mend,  kur u largua, policia doli me parullë me uniforma të policisë. Duke bërë politikë. Thua se kjo është policia e Partisë Socialiste. Në cilin shtet që ka një minimum seriozitet mund të ndodhi kjo?!

Ky ministri i ri, jo vetëm që nuk çbëri situatë po përzuri grupin e Tepelenës nga policia dhe mori grupin e Vlorës e Bregut të Lumit.  Në këtë situatë trupa e policisë nuk është në gjendje më të përplaset me krimin.  Nuk mund të përplaset me krimin kur i vëllai i ministrit është në burg, dhe ai polici i thjesht është i kërcënuar se do e heqin nga puna 

Kush është ai shqiptar i varfër që kur të hedh në rrugë shteti, do të marrë pushkën dhe t'i bjerë atij vrasësit që një natë përpara mund të ketë qenë duke ngrënë darkë me drejtorin e policisë, me zv/ministri, edhe me ministrin, shpesh herë.  

Ai ministri duhet të largohet, jo se është i pazoti, jo se mund ta shtyjë i vëllai për të qenë kriminel. Kjo mund të mos jenë të vërteta, por mjafton thjesht statusi. Ke humbur të drejtën të ushtrosh detyrën institucionale."


/Ora News.tv/