Skënderbeu mori një fitore tepër të rëndësishme në Korçë për të rritur moralin pas një momenti tepër negativ. Trajneri Orges Shehi deklaroi se suksesit ndaj Laxit do të jetë një pikë kthese për kampionët në fuqi të Superiores, që këtë sezon janë shumë larg pritshmërive.

"Një fitore që shërben për klimën e skuadrës dhe më vjen mirë që kjo fitore vjen edhe me lojë. Shpresoj që ekipi të ketë besim për vazhdimësinë. Dhe të ketë impuls për të ardhmen. "-tha fillimisht ish-gardiani bardhekuq.

Shehi thotë se ka një ekip të ri, por me lojtarë premtues ndërsa vlerësoi performancën e Blerim Krasniqit.

"Jam i kënaqur në përgjithësi nga e gjithë skuadra. Me Krasniqin jam shumë i kënaqur  sidomos në pjesën e dytë. Pas pjesës së parë kam komunikuar me të për shumë detaje. Pjesën e dytë ma ka shpërblyer shumë. Ai është Krasniqi i vërtetë. Pra duhet të besoj tek vetja, te forca që ka sepse realisht është lojtar i mirë.
"-shtoi Shehi.

Besnik Prenga e pranoi se Laçi bëri një ndeshje të dobët, ndërsa shfaqi pakënaqësi për impenjimin e kurbinasve.

"Skënderbeu tregoi se si luftohet për ngjyrat e ekipit. Ne e dinim që Korça ka traditë. Ka pasur rezultate të mira. Nuk na kanë rrejtur rezultatet e fundit të tyre, të paktën personalisht jo. Mendoj se u futëm mirë në lojë. Për 15 minuta fituan 3 duele në mesfushë. Lojtarët tonë u frikësuan pak dhe humbën turuan duke mos u futur për asnjë moment në lojën tonë. Fitore e merituar e Skënderbeut.-tha tekniku kurbinas.

Prenga ka kritika edhe për sulmin.

"Jam i shqetësuar nga lufta, nga dëshira që treguan lojtarët. Pritsha më shumë nga loja sulmuese "-shtoi Prenga.

/Ora News.tv/