Në Shtetet e Bashkuara, një gjykatës federal urdhëroi administratën e Presidentit Trump të mbajë në fuqi tani për tani një program i cili mbron nga dëbimi qindra mijëra emigrantë që kanë hyrë në vend ilegalisht kur ishin fëmijë.


Në muajin shtator, Presidenti Trump vendosi t’i japë fund këtij programi të njohur me emrin DACA dhe i dha Kongresit gjashtë muaj kohë për të gjetur një zgjidhje ligjore për rreth 800 mijë emigrantë të përfshirë në program.


Gjyqtari në shtetin perëndimor të Kalifornisë vendosi të martën në favor të një grupi individësh dhe institucionesh, përfshirë Universitetin e Kalifornisë, duke thënë se ato do të pësonin një dëm të rëndë e të pariparueshëm nëse programit i jepet fund. Vazhdimi i DACA-s, deklaroi gjyqtari, i shërben interesit publik.

Shtëpia e Bardhë reagoi të mërkurën, duke thënë se është skandaloz fakti që një gjyqtar federal urdhëron Presidentin Trump të lërë në fuqi këtë program. Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha se "një çështje e përmasave të tilla duhet të kalojë nëpër një proces legjislativ normal.

Urdhri i gjykatës erdhi vetëm disa orë pas komenteve të Presidentit Trump, i cili i tha një grupi ligjvënësish me ndikim të Kongresit se ai do të nënshkruante çfarëdo ligji për DACA-n me të cilin ata bien dakord.

"Mendoj gjithashtu se do të arrijmë ta bëjmë ligjin për DACA-n. Por duhet të kërkojmë një zgjidhje të përhershme për të gjithë situatën e emigracionit. Mendoj se shumë prej jush do të ishit dakord, por këtë do ta bëjmë hap pas hapi,” tha Presidenti.

Edhe pasi i dha fund programit DACA, Presidenti Trump herë pas here ka shprehur keqardhje për gjendjen e vështirë të emigrantëve të rinj, shumë prej të cilëve njohin vetëm Shtetet e Bashkuara si vendin e tyre.

Ai u tha dje se ligjvënësit duhet të bëjnë një ligj që të shprehë dashuri ndaj këtyre njerëzve.

Demokratët i kanë kundërshtuar përpjekjet për mbylljen e programit DACA, por dolën nga takimi i së martës duke thënë se ka vend për kompromis.

"Mendoj se presidenti në fakt e dëshiron një marrëveshjeje. Nëse arritja e saj është e vështirë, kjo është një tjetër çështje, por unë mendoj se është e mundur", tha senatori Robert Menendez.

Por zotit Trump do t’i duhet të qetësojë ligjvënësit e vijës së fortë që po i kërkojnë të mbajë premtimin e fushatës.

"Ai vazhdimisht dhe pa pushim premtoi që t’i jepte fund DACA-s. Teknikisht, ai ka njoftuar se kjo do të ndodhë më 5 mars të këtij viti, por po përpiqet ndërkaq që, si shkëmbim, të marrë një seri lëshimesh për çështjen e migracionit," tha kongresmeni Steve King.

Presidenti Trump tha se mezi pret të nisë ndërtimin e një muri në kufirin me Meksikën, për të përmbushur një nga premtimet e tij kryesore të fushatës. Ky projekt është tani pjesë e negociatave më të gjera për sigurinë e kufijve të vendit. /VOA/

/Ora News.tv/