SHBA-Rusi braktistin paktin për raketat

SHBA-Rusi braktistin paktin për raketat

SHBA-ja dhe Rusia kanë braktisur zyrtarisht traktatin për raketat bërthamore të firmosur tri dekada më parë.

Lajmi për anulimin e paktit që ndalonte zotërimin e predhave luftarake me rreze veprimi 500 deri në 5,500 kilometra distancë, u konfirmua nga palët nënshkruese.

"Rusia është përgjegjëse për prishjen e traktatit. Bashkë me aleatët e NATO-s, kemi provuar se ajo e shkeli marrëveshjen, ndaj edhe heqim dorë nga detyrimet tona," njoftoi të premten kryediplomati amerikan, Majk Pompeo, me një komunikatë për shtyp.

Presidenti Donald Trump dhe administrata e tij vazhdimisht e kanë akuzuar Rusinë se posedon arsenal raketor në shkelje të traktatit.

Moska i ka mohuar akuzat duke u kundërpërgjigjur me të njëjtat pretendime për teknologjinë e palës amerikane.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, një ditë më parë u bërë thirrje dy vendeve të mos e zhbëjnë marrëveshjen.

Guterres:  “Traktati ka qenë vendimtar për stabilizimin e Europës dhe dhënien fund Luftës së Ftohtë. Kur të mos jetë më, botës do i mungojë një frenë e paçmuar e luftës bërthamore, e cila me gjasë do e rritë rrezikun që kanosin raketat balistike.”

Të premten, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, doli në krah të Uashingtonit duke veçuar Rusinë si shkaktare për prishjen e marrëveshjes historike.

Ai paralajmëroi aksion të koordinuar të 29 vendeve të aleancës për t'u mbrojtur nga kërcënimet që Rusia mund t'i paraqesë tani Europës dhe botës më gjerë.

EMISIONET