SHBA, sulmohet një qendër veteranësh lufte: vdes rrëmbyesi dhe tre gra

SHBA, sulmohet një qendër veteranësh lufte: vdes rrëmbyesi

Tre gra dhe agresori i cili i mbajti ato peng në Shtëpinë e Veteranëve të luftës në Kaliforni, janë gjetur të vdekur në dhomën ku ndodhi situata e pengmarrjes. Godina e ndodhur në Yountville u kthye në skenën e një përballjeje disa-orëshe mes policisë dhe agresorit i cili hyri në ndërtesë, i armatosur me një pushkë. 

Sipas autoriteteve, personi në fjalë ishte anëtar i një programi që kompleksi i veteranëve zhvillonte për personat që vuanin nga çrregullime të stresit post-traumatik. Pengjet e tij besohet se ishin punonjëse të cilat kishin punuar me agresorin.

Pavarësisht përpjekjeve nga ndërmjetësuesit e policisë për të komunikuar me të dyshuarin përgjatë ditës, autoritetet deklaruan se ata nuk mundën të krijonin kontakt me agresorin, pasi ai hapi zjarr ndaj forcave të policisë. Autoritetet janë në dijeni të identitetit të agresorit, por deklarojnë se nuk do ta bëjnë publik emrin e tij.

Shtëpia e Veteranëve të Kalifornisë, një rezidencë për rreth 1.000 ushtarë veteranë amerikanë, është godina më e madhe e llojit të saj në Shtetet e Bashkuara. Incidenti në këtë kompleks vjen më pak se një muaj pas masakrës së ndodhur në një gjimnaz në Florida, ku një ish-nxënës i shkollës i mori jetën 17 personave.


EMISIONET