Shtëpia e Bardhë mohoi pretendimin e Turqisë se Presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e ekstradimit të klerikut mysliman Fethullah Gylen që jeton në Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se "gjatë takimit me Presidentin turk Erdogan në samitin ekonomik të G-20s në Buenos Aires, presidenti Trump nuk bëri ndonjë premtim për ekstradimin e Fethullah Gylenit”.

Ministri i jashtëm turk Mevlut Çaushollu tha më parë në rrjetin televiziv CNBC se zoti Trump i kishte komunikuar presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan se SHBA janë "duke punuar për ekstradimin" e Gylenit dhe "njerëzve të tjerë".

Gyleni jeton në mërgim në Pensilvani. Turqia e akuzon atë për orkestrimin e grushtit ushtarak të shtetit kundër Presidentit Erdogan në vitin 2016.

Gyleni e mohon akuzën, por Ankaraja ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara t'a ekstradojnë atë në Turqi.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Turqia nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme që mbështesin pretendimin e saj kundër Gylenit.

Zoti Çaushollu tha se ai ka parë një hetim "të besueshëm" të FBI-së që tregon se si organizata Gylen i shmanget pagimit të taksave. Zoti Erdogan tha javën e kaluar se qeveria e tij do të fillojë të verë në shënjestër ata që financojnë operacionet e Gylenit. /VOA/


/Ora News.tv/